Sulmohet me thikë një infermier në QKUK
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar se, sot në vendin e tij të punës është sulmuar me thikë, në Klinikën e Urologjisë, infermieri F.B.
Sulmi ka ndodhur, pas orës 14.00, derisa infermieri po kryente punën e tij.
“Infermieri pritet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik. Për rastin është informuar edhe Policia e Kosovës. ShSKUK shpreh indinjatën e thellë për këtë rast dhe dënon ashpër sulmet ndaj mantelbardhëve, të cilat janë të papranueshme”.
“Ofendimet, dhuna, e deri tek sulmet fizike, të tilla si ky i ditës së sotme ndaj mantelbardhëve ka pasur në vazhdimësi, andaj ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë punën e mantelbardhëve, ndërsa sulmuesit e tillë të marrin pergjigjen e merituar nga organet kompetente. Është koha e fundit që sulmet e tilla të ndalen njëherë dhe përgjithmonë ndaj punëtorëve shëndetësorë”, bëhet me dije në njoftimin e ShSKUK-së.
(Qendresa Rama / Epoka e re)