Sulmohet në vendin e punës drejtori i Bujqësisë në Skenderaj, reagon kryetari Jashari
Sot në vendin e tij të punës është sulmuar drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Komunës së Skenderajt, Sokol Sallahu.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka dënuar këtë sulm, duke ftuar organet e drejtësisë që në mënyrë të pavarur të merren me rastin dhe sulmuesin e drejtorit ta vënë para organeve të drejtësisë.
Postimi i plotë i Bekim Jasharit:
Të nderuar qytetarë,
Sot në vendin e tij të punës është sulmuar drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Sokol Sallahu, një nga ekspertët e rrallë të kësaj fushe, i vlerësuar jo vetëm nga ne, por edhe nga asociacionet dhe organizatat ndërkombëtare, i cili gjithashtu i përzgjedhur nga Agjencioni Japonez për Ndërtim, për të përfaqësuar Kosovën në Japoni, pa përmendur këtu edhe vlerësime të tjera të rëndësishme për profesionalizmin e tij.
Qeveria të cilën unë e udhëheq vlerëson lartë punën e drejtorit Sokol Sallahu, i cili ka arritur të zhvillojë shumë projekte në fushën e bujqësisë dhe të menaxhojë me sukses këtë sektor shumë të rëndësishëm të zhvillimit të vendit.
Projektet, subvencionet, mbështetja për zhvillimin e bujqësisë përfshirë sektorët e saj, fitohen vetëm në mënyrën meritore, profesionale, pa njoftësi, interferime e kërcënime, qofshin ata edhe kusherinjë te gjakut tim.
I bëj me dije Behram Jasharit dhe të tjerëve si ai, se duhet të mësohen t’i respektojnë rregullat dhe ligjet e shtetit tonë dhe të respektojnë të tjerët, sepse ata që u flijuan për këtë vend, anë e kënd Kosovës, ranë që ky vend të jetë i lirë dhe i zhvilluar, dhe assesi që ne pasuesit e tyre t’i kërcënojmë dhe sulmojmë të tjerët për interesa personale.
Komuna e Skenderajt, nën udhëheqjen time, nuk do të jetë e Jasharajve, Mehajve, Lushtakve, Geceve, etj, nuk do të jetë e një familjeje apo grupi të caktuar, por do të jetë e të gjithë qytetarëve pa dallim.
Ftoj organet e drejtësisë që në mënyrë të pavarur të merren me rastin dhe sulmuesin e drejtorit ta vënë para organeve të drejtësisë.