Sulmohet objekti i “Elektrokosmet”-it në veri
Të enjten në mbrëmje është hedhur një mjet shpërthyes në një trafë në objektin e distribucionit të energjisë në veri të Mitrovicës.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori rajonal i Policisë së Kosovës për Mitrovicë, Besim Hoti.
“Mbrëmë në orën 22:40 besohet se trafoja është sulmuar”.
Nga ky shpërthim s’ka mbetur i lënduar askush. Megjithatë, Hoti ka thënë se nga sulmi janë dëmtuar disa vetura përreth. Ai shtoi se në fillim është menduar se ka qenë zjarr në trafo, por më pas është parë se ka pasur sulm.
Ky sulm vjen pas arritjes së marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia në Bruksel për çështjen e energjisë. Ato janë pajtuar për miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë në kuadër të dialogut të Brukselit.
Pika dy e marrëveshjes thotë se pas shtatë ditëve të marrjes së licencës, Elektrosever do t’i njoftojë KEDS-in dhe KOSTT-in për të dhënat më të reja të konsumatorëve.
Kurse pas 10 ditëve, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT dhe KEDS në mënyrë që të operojë në tregun e energjisë në Kosovë. Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, 15 ditë më pas Elektrosever do të pajiset me Kodin Identifikues të Energjisë në mënyrë që të zhvillojë aktivitetet e saj sipas licensës së furnizimit. 30 ditë pasi Elektrosever të pajiset me licencë, KEDS dhe KOST (nën ndërmjetësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të ketë qasje në nënstacionin e Vallaqit si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe distribuimit. Nëse pas 100 ditëve, nuk zbatohet dispozitat për të cilat është rënë dakord, ZRrE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën për Elektrosever.