Sulmuesi i Shqipërisë rezulton pozitiv me koronavirus
Sulmuesi Florian Kamberit i duhet të presë akoma për të luajtur me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë. Sulmuesi, prej të cilit pritet shumë, nuk do të jetë gati për tu grumbulluar me kuqezinjtë as për ndeshjet e nëntorit.
Shkak për këtë bëhet, fakti se sulmuesi ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit. Pas tamponëve të kryera së fundmi te skuadra zvicerane e St Galenit, është zbuluar se Kamberi ishte pozitiv.
Pas kësaj, lojtari është futur menjëherë në karantinë dhe do të qëndrojë aty deri sa t’i largohet virusi. Mesa duket Kamberin po e ndjek fati i keq dhe po ia bën të pamundur të luajë me Kombëtaren, duke parë se është hera e disatë që sulmuesi nuk arrin të debutojë dot me Shqipërinë.
Një hall më vete ky edhe për trajnerin Reja, që në grumbullimin e javës së ardhshme, duhet të përballet me mungesa të shumta, ku Uzuni është me Koronavirus, Roshi, Dermaku dhe Bare vuajnë dëmtimet, por mund të mungojnë edhe Gjasula e Ramadani për shkak të rregullave shtrënguese prej “Covid-19”.