Sulmuesit e Valon Sylës nuk pranojnë të gjykohen me ligjet e Kosovës
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të hënën është mbajtur shqyrtimi fillestar në të cilin të akuzuarit Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani janë mbrojtur në heshtje, duke mos pranuar që të gjykohen sipas ligjeve në fuqi, por vetëm sipas ligjeve fetare.
Fillimisht, i akuzuari Lum Dervishi, ka thënë se nuk pranon të gjykohet me ligjet në fuqi, por se sulmin e bërë ndaj të dëmtuarit gazetarit Valon Syla nuk e ka mohuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk pranoj të gjykohem me këto ligje. Nuk e kam mohu në stacion. E kam pranu në prokurori, e pranoj edhe tash”, ka thënë i akuzuari Dervishi.
Ndërsa i akuzuari Kenan Hasani, ka thënë se mund të gjykohet vetëm më ligjet islame dhe se nuk e pranon gjykimin i cili po bëhet.
“Veprimin edhe unë e pranoj çfarë ka ndodhë, mirëpo gjykimin nuk e pranoj sepse si mysliman duhna m’u gjyku vetëm me ligj islam. Unë nuk deklarohem”, ka thënë i akuzuari Kenan Hasani.
Dhe në fund, i akuzuari Okan Hasani, ka thënë se nuk mund të deklarohet dhe se nuk pranon një gjykim të tillë.
“Nuk mund të deklarohem”, ka thënë i akuzuari i fundit, Okan Hasani.