Sulmuesit ‘lakmojnë’ çmimin e golashënuesit

09 dhjetor 2018 | 12:28

Gara për golashënuesin më të mirë në Superligë do të jetë interesante sikurse edhe gara për titull të kampionit. Katër sulmuesit e parë në listë kanë folur rreth objektivit që kanë në këtë garë, kurse Festim Alidema ka premtuar se do të shënojë 20 gola. “Nëse nuk pësoj ndonjë lëndim, normalisht se do të shënoj 20 gola”, ka thënë Alidema.

Katërshja e parë në listën e golashënuesve në IPKO Superligën e Kosovës në futboll ka folur rreth synimeve që kanë për të arritur të shpallen golashënues më të mirë për edicionin 2018/2019. Alban Shillova është i pari në listë me nëntë gola të shënuara, kurse ai është edhe një prej lojtarëve më të mirë në sezonin vjeshtor, pasi ka pasur ndikim të madh në rezultatet e skuadrës së Flamurtarit. “Kryesore për mua janë sukseset e skuadrës. Jam i përgatitur mirë fizikisht dhe do të shënoj shumë gola. Mbase do të jem i pari në listën e golashënuesve”, ka thënë Shillova për gazetë.

Talenti i Llapit, Festim Alidema, ka qenë lojtari që ka “shpërthyer” në sezonin vjeshtor, duke e zëvendësuar për mrekulli sulmuesin Mirlind Daku, i cili u transferua në Kroaci. Alidema ka thënë për “Epokën e re” se do të shënojë 20 gola në këtë kampionat. “Këtë sezon e kam filluar me shumë përkushtim dhe punë. Jam në formë të mirë dhe besoj se do të vazhdoj deri në fund kështu. Po ndihem shumë mirë që e kam besimin e trajnerit dhe për këtë po jap maksimumin që ta shpaguaj në secilën ndeshje. Kam besimin e trajnerit dhe klubit, por jam edhe në formë të mirë. Nëse nuk pësoj ndonjë lëndim, normalisht se do të shënoj 20 gola”, ka thënë Alidema, autor i tetë golave në sezonin vjeshtor.

Betim Haxhimusa, i cili është transferuar më shumë bujë nga Gjilani te rivali më i madh në ligë, Drita, ka thënë se, përveç dëshirës për rezultatet pozitive me klubin, synon edhe epitetin e golashënuesit më të mirë. “Në aspektin personal kam pasur paraqitje të mirë, por kam munguar në shumë ndeshje. Kam besim se deri në fund të kampionatit do të arrij të jem i pari në listën e golashënuesve në Superligë”, ka deklaruar Haxhimusa që ka dy gola më pak të shënuara se Shillova.

Një kandidat i fortë për garën e më të mirit shënues është edhe futbollisti i Feronikelit, Kastriot Rexha. Ky i fundit kampionatin e shkuar ishte vendimtar me golat në suksesin e Dritës së Gjilanit, kurse formë të mirë po tregon edhe me Feronikelin. Rexha nuk është shumë i pasionuar pas suksesit individual, por e kërkon më shumë suksesin ekipor me klub. “Nuk jam aq i interesuar të luftoj për çmimin e golashënuesit, pasi dëshira ime është që skuadra t’i arrijë objektivat. Si gjithmonë do ta jap maksimumin në fushë për ta ndihmuar klubin për të pasur rezultate pozitive, kurse golat janë në plan të dytë. Gara do të jetë interesante deri në fund të kampionatit, pasi disa sulmues janë në formë të mirë”, ka thënë Rexha.

Lista e shënuesve

  1. Alban Shillova           (Flamurtari)            9 gola
  2. Festim Alidema         (Llapi)                      8
  3. Betim Haxhimusa     (Drita)                      7
  4. Kastriot Rexha           (Feronikeli)            6
  5. Martin Mircevski       (Trepça ‘89)           6
  6. Mendurim Hoti          (Feronikeli)            5
  7. Fati Karahoda             (Liria)                      5
  8. Liridon Fetahaj           (Liria)                     5
  9. Basit Khalid                 (Prishtina)             5
  10. Mario Morina              (Prishtina)            5

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lirjon Zenelaj ka sjell projektin e ri muzikor. Këngëtari i…