Sulmuesit në veri, ‘të strukturuar dhe të përgatitur’
Grupi i personave të armatosur që ka sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, nuk është strukturë spontane, por e organizuar dhe e parapërgatitur mirë, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë.
Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë në Prishtinë, ka vlerësuar se “formacioni imiton grupin mercenar rus, Wagner”, ndërsa Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se ai nuk ka mundur të veprojë “pa dijen e autoriteteve të Serbisë”.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe disa janë plagosur të dielën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Autoritetet kanë thënë se rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra gjatë sulmit.
Sipas tyre, sulmuesit e armatosur, rreth 30 syresh, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta janë arrestuar.
Sipas Sveçlës, autoritetet kanë konfiskuar edhe një sasi të madhe armatimi.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.
Profesori Islami ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se grupi i armatosur, i cili sulmoi policinë në Banjskë, ishte një formacion i strukturuar dhe i përgatitur mirë.
Sipas tij, grupi nuk ka funksionuar si i izoluar dhe i vetorganizuar, por si një formacion me uniforma, me armatim specifik dhe i lidhur “me institucionet e sigurisë së Serbisë”.
“Uniformat e tilla i ngjajnë grupit (mercenar rus) ‘Wagner’. Duket se ky grup i strukturuar edhe ishte imitues i grupit ‘Wagner’”, ka thënë Islami, duke iu referuar mercenarëve rusë që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë dhe në zona të tjera konflikti.
“Armët e gjata, armët luftarake, të gjitha ato janë armë që përdoren në vijën e parë të frontit nga afërsia. Këto janë të mjaftueshme që të thuhet se ky grup terrorist, i lidhur me shtetin serb, ka kryer terrorizëm shtetëror në një territor të huaj”, ka thënë Islami.
Kurse Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se bazuar nga mënyra se si është realizuar sulmi në Banjskë, nuk mund të thuhet se formacioni ka kryer një akt spontan.
Sipas tij, ai ka vepruar i orkestruar dhe me plan për ta destabilizuar pjesën veriore të Kosovës.
Një gjë e tillë, ka thënë ai, nuk ka mundur të ndodhë pa dijen e autoriteteve të Serbisë.
“Nëse flasim për mënyrën se si ata janë paraqitur, ajo tregon qartë se ata persona janë trajnuar, janë përgatitur, kanë marrë resurse mjaft të kushtueshme që të mund të operojnë. Mendoj se është e pamundshme që (autoritetet serbe) të mos i kenë informacionet. Tash, lind pyetja: A ka qenë drejtpërdrejt shteti serb i përfshirë në këtë strukturë apo kanë qenë elemente radikale të përziera? Kjo është vështirë të konfirmohet. Por, pasi që ka persona të arrestuar, atëherë informacionet se kush i ka shtyrë ata që të organizohen, do të gjenden”, ka thënë Vrajolli.
Çfarë është thënë në Prishtinë?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se procesi i hetimeve do të ofrojë më shumë të dhëna se kush ishin personat e “formacionit profesionist” që sulmoi policinë, si hynë dhe kur hynë në Kosovë, si dhe kush janë urdhërdhënësit dhe dirigjuesit e sulmit.
“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, ka thënë Kurti.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se bëhet fjalë për “grup terrorist”.
Sipas tij, disa nga sulmuesit janë “pjesëtarë të Mbrojtjes Civile” – organizatë të cilën Qeveria e Kosovës e shpalli terroriste, në fund të qershorit.
Duke folur për Radio Televizionin e Kosovës, Sveçla, ka thënë se sulmi kundër Policisë së Kosovës është realizuar me mbështetjen e “shtetit të Serbisë” dhe drejtoi gishtin drejtpërdrejt kah presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Çfarë është thënë në Beograd?
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve të Kosovës.
Duke folur në një adresim të drejtpërdrejtë televiziv, ai ka thënë se serbë të Kosovës janë rebeluar “duke mos dashur që ta durojnë më tej terrorin e Kurtit”.
Dy nga tre personat e vrarë nga grupi i sulmuesve, ka thënë Vuçiq, janë nga Mitrovica e Veriut. “Ne ende po kontrollojmë për t’u siguruar që nuk janë emra të rremë. Fajtori i vetëm për atë që ndodhi në Kosovë është Albin Kurti”, ka thënë Vuçiqi, duke shtuar se sulmuesit nuk kishin uniforma të ushtrisë apo policisë serbe.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka dënuar vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe ka thënë se është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme.
Kurse ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se i dënon ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara“ ndaj Policisë së Kosovës.
Në anën tjetër, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson edhe bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë se ka biseduar të dielën me udhëheqësit e të dyja vendeve.
Borrelli është thënë në një komunikatë të zyrës së tij se ka bërë thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit.
Pjesa veriore e Kosovës, përkatësisht komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.
Popullata atje, e ndikuar nga Beogradi zyrtar dhe strukturat që funksionojnë nën udhëheqjen e tij, nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës.