Sumerët dhe qytetërimi i parë në botë
Përgatiti: Vesel Makolli (pjesë nga libri Historia e botës e historianit britanik Somerset Fry)
Në hartën e Lindjes së Mesme, shihen dy lumenj, Tigri dhe Eufrati. Të dytë rrjedhin pothuajse paralel nga Turqia, në një drejtim juglindor përmes Irakut, për t’u bashkuar ne Kurna, duke formuar lumin që ne tani e quajmë Shat-el-Arab, i cili ka gjatësi rreth 170 kilometra deri te derdhja e tij në Gjirin Persik.
Fusha pjellore në mes të këtyre dy lumenjve quhet Mesopotamia (në greqisht do të thotë “midis lumenjve”). Këtu u vendosën njerëz me lëkurë të errët nga India veriperëndimore. Ata e quanin veten “njerëz me kokë të zezë, ose njerëz të Sumerit”. Ata janë njerëzit e parë të qytetëruar në botë që lanë pas monumentet e shkruara.
Sumerët supozohet të kenë filluar të vendoseshin në Mesopotami rreth vitit 5000 para Krishtit. Ata e kuptuan se metali mund të punohej dhe ishin në gjendje të bënin shumë mjete të dobishme. Ata ishin fermerë të aftë, dhe në tokën pjellore të Mesopotamisë zhvilluan aftësitë e tyre bujqësore në një shkallë shumë të lartë. Ata korrnin nga arat e tyre shumë më tepër sesa kishin nevojë, kështu që filluan të tregtonin me fqinjët e tyre më pak të zhvilluar.
Sumerët ishin gjithashtu ndërtues. Në Mesopotami, nuk kishte gur natyror dhe po ashtu pak kishte drunj dhe kjo ishte arsyeja pse ata filluan të bënin tulla, me të cilat ndërtuan shtëpitë e tyre të vogla.
Shumë shpejt sumerët zbuluan se disa vende fqinje kishin gurë natyralë dhe e tregtuan tepricën e të korrave të tyre me gurë, të cilët i përdornin për ndërtim në kombinim me tullat.
Sumerët shpikën rrotën e poçarit dhe e përdorën për të formuar një sërë enësh të dobishme dhe të bukura: tas, pjata, gota, vazo dhe kavanoza për mbajtjen e ushqimit. Zbukuruan qeramikën e tyre me modele të mrekullueshme. Ata dinin gjithashtu të skalitnin, të përpunonin bakër, bronz, ar dhe gurë të çmuar.
Sumerët ndërtuan varka të vogla nga kallamishte të thurura, të cilat i mbuluan me lëkurë kafshësh dhe i lyenin me katran. Ndërtimi i varkave ishte themeli i zhvillimit të tyre të mëtejshëm, që tani ishin në gjendje të lundronin nga një breg i Tigrit në tjetrin ose lart e poshtë Eufratit, dhe kështu ishin në kontakt shumë më të ngushtë me zonat fqinje. Me fjalë të tjera, sumerët gjetën një mënyrë për të komunikuar, e cila është shumë e rëndësishme për një qytetërim që sapo po zhvillohej. Lidhja midis vendbanimeve të para të vogla çoi me kalimin e kohës në krijimin e qyteteve të mëdha. Historia e sumerëve sillet kryesisht rreth qytet-shteteve. Kjo periudhë filloi rreth vitit 3500 para Krishtit dhe zgjati rreth një mijë e pesëqind vjet.
Në njëqind vitet e fundit, arkeologet gjatë gërmimeve në Mesopotami kanë zbuluar rrënojat e qytetit sumerian të quajtur Ur. Meqenëse qytetet e tjera si Eresh, Kish, Eridu dhe Lagash mendohet të jenë të ngjashëm, një pasqyrë e shkurtër e historisë sumere mund të jepet duke treguar historinë e qytetit të Urit.
Ur u ndërtua në bregun lindor të lumit Eufrat. Gërmimet kanë treguar se qyteti ishte i rrethuar nga një mur i lartë tullash dhe një kanal i gjerë që e rrethonte e që përdorej për mbrojtje dhe për trafik. Në lumë kishte një port për anijet tregtare që sillnin mallra nga vendbanimet e tjera përgjatë Eufratit.
Vetë qyteti ishte i kryqëzuar me rrugë të ngushta të shtruara me tulla të pjekura nga dielli. Përgjatë rrugëve kishte shtëpi, dyqane dhe ndërtesa publike. Në shumë mënyra, shtëpitë sumere ngjanin me tonat, por nuk kishin dritare, pasi që xhami nuk njihej ende.
Përafërsisht në qendër të Urit qëndronte një tempull i madh në formën e një kulle, i quajtur zigurat. Sumerët besonin se perënditë qeverisnin forcat natyrore si toka (Euli), qielli (Anu), uji (Ea), dielli (Shamash) dhe hëna (Nanar). Çdo qytet sumerian kishte perëndinë e tij të veçantë, por gjithashtu respektonte perënditë e tjera. Zoti suprem i qytetit të Urit ishte Nanari dhe i qytetit të Erisit perëndia Ea. Tempulli i madh në Ur, kushtuar perëndisë Nanar, ishte vendi kryesor ku ai adhurohej.
Në tempullin e Urit ishte një statujë e madhe e perëndisë Nanar. Ajo mbështetej në tri bazamente tullash dhe arrihej me shkallë. Ne e dimë se një nga mbretërit e parë sumerianë e ndërtoi atë tempull, sepse disa prej tullave mbajnë emrin e tij.
Perëndia Nanar u nderua gjithashtu në shumë tempuj më të vegjël përreth qytetit, dhe kishte gjithashtu disa tempuj të vegjël kushtuar gruas së tij Ningal.
Njerëzit në Sumeri ishin të ndarë në tri klasa kryesore. Priftërinjtë, zyrtarët dhe ushtria përfaqësonin klasën më të lartë shoqërore. Klasa e mesme përfshinte tregtarët, bujqit dhe zejtarët, ndërsa klasa e fundit përbëhej nga skllevërit. Njerëzit më të rëndësishëm ishin priftërinjtë, sepse konsideroheshin shërbëtorë të Zotit.
Te sumerët, viti llogaritej sipas lëvizjes së hënës; kishte dymbëdhjetë muaj të cilët u ndanë në ditë dhe orë. Megjithatë, muajt kishin vetëm tridhjetë ditë secili, që korrespondonte me një vit prej 360 ditësh. Në këtë kontekst, për të përshtatur plotësisht stinët në kalendar, priftërinjtë shpesh lajmëronin se vitit aktual do t’i shtohej edhe një muaj tjetër.
Në të kaluarën më të hershme të Sumerisë, nuk kishte mbretër dhe qytetet drejtoheshin nga priftërinjtë e lartë. Por, ndërsa qytetet u zhvilluan dhe barra e menaxhimit të qytetit u bë shumë e rëndë për një prift, ata filluan të zgjidhnin një njeri të shquar nga kleri për të menaxhuar punët e qytetit. Institucioni i mbretërisë buron prej sumerëve. Mbreti menaxhonte punët shtetërore që nuk kishin lidhje me tempullin.
Vulat bëheshin prej balte ose guri, alabastri ose fildishi dhe të gdhendura me figura perëndish, kafshësh ose njerëzish. Shumë nga vulat e gjetura janë jashtëzakonisht të bukura.
Sumerët kishin një shkrim shumë të pazakontë të quajtur kuneiform. Rreth 3500 vjet para Krishtit, vizatonin piktograme ose gdhendnin konturat e objekteve në pllaka balte me “penë” kallami. Këto tableta më pas u pjekën dhe u bënë pothuajse të pathyeshme. Një numër i madh pllakash të zbuluara në Ur dhanë një pamje të gjallë të jetës sumere. Piktogramet evoluuan në një përzierje figurash dhe simbolesh që përfaqësonin shqiptimin e rrokjeve. Së fundi, sumerët kishin një lloj shkrimi që përfshinte rreth 600 simbole.
Një shënim sumerian, i ruajtur deri më sot, thotë: “Për Nanarin, mbreti i tij është Ur-Nanu, njeriu i fuqishëm, mbreti i Urit, mbreti Sumeri dhe Akkadi, gërmuan një kanal të madh, kanalin e tij të dashur”.
Ndërsa numri i qyteteve në Eufrat dhe Tigër rritej, disa qytete më të pasura dhe më të fuqishme sumere u përpoqën të nënshtronin fqinjët e tyre nën sundimin e tyre. Kështu lindi një sërë e dinastive që kishin pushtetin suprem në Sumeri.
Nuk është e mundur të paraqitet një pemë familjare e plotë e dinastive sumere. Por, megjithatë, e dimë për disa sundimtarë. Nga rreth 2700 deri rreth 2280 para Krishtit, Uri ishte qyteti kryesor. Me zbulimin e varrit të mbretëreshës Shab-Ad, që banonte aty, nga shkëlqimi dhe pasuria e atij varri mund të themi me shumë siguri se ajo ishte gruaja e një mbreti të fuqishëm. Ndër gjërat e tjera të varrosura me të ishte një harpë e zbukuruar me kokë demi dhe e veshur me guaska.
Është e mundur që rreth vitit 2370 para Krishtit, fqinji i fuqishëm Sargon I, marshoi në Sumeri dhe e pushtoi atë. Ai mundi mbretërit e Urit, Lagashit dhe qyteteve të tjera, dhe për njëqind e njëzet vitet e ardhshme familja e tij sundoi sumerët dhe fqinjët e tyre, amorejtë dhe akadianët.
Nipin e Sargonit, Naramsini, i quajtur Mbreti i Katër Pjesëve të Botës, e mundi ushtria sumere nga Uri. Edhe një herë, Uri qëndroi në krye të qyteteve sumeriane, nën një dinasti të re, por para vitit 1950 para Krishtit kombet fqinje filluan të sulmojnë qytetet sumere. Fuqia e sumerëve ishte dobësuar shumë dhe paralajmërohej fundi i forcës së tyre ushtarake. Qytetërimi sumer nuk u shemb, por u bashkua me atë babilonas, i cili përmirësoi më tej të gjitha tiparet e tij më të mira.
Sumerët arritën një nivel të lartë organizimi juridik dhe shoqëror në kohën kur Evropa ishte e banuar nga njerëz të epokës se neolitit, të cilët ende nuk ishin të qytetëruar (civilizuar).