Sunak emërohet kryeministër i Britanisë
Rishi Sunak zyrtarisht është emëruar në postin e kryeministrit të Britanisë, duke zëvendësuar Liz Truss e cila dha dorëheqje javën e kaluar.
Truss ka dhënë dorëheqje pas 44 ditësh si kryeministre, pasi një program ekonomik që ajo ka prezantuar, kishte shkaktuar trazira në tregjet financiare, duke bërë që të humbiste mbështetjen e Partisë Konservatore.
Sunak, ish-ministër i Financave është kryeministri i parë i Britanisë me prejardhje indiane. Më 25 tetor, Mbreti Charles III e ka ftuar Sunakun që të formojë qeverinë e re britanike.
Sunak, multimilioner dhe ish-drejtues i fondeve investuese, ka thënë para ligjvënësve të Partisë Konservatore më 24 tetor se Britania përballet me “krizë ekzistenciale” dhe “ne duhet të bashkohemi ose të vdesim”.
Sipas tij, Britania po përballet me sfida të mëdha ekonomike, prandaj ka thënë se duhet stabilitet dhe unitet.