Sunak: NATO është më e fortë me anëtarësimin e Ukrainës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) mund ta ndjekin rrugën e Britanisë për ta nënshkruar një traktat angazhimi me Ukrainën.
Dokumenti i nënshkruar të premten në Kiev ka shënuar një moment historik. Kryeministri Rishi Sunak, ka premtuar se vendi i tij do të angazhohet derisa Ukraina të bashkohet me NATO-n.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën se si NATO përfiton nga Ukraina, por me të kundërtën. Mënyra se si ju e kuptoni luftën nuk vjen nga librat, por nga fusha e betejës. Forcat tuaja të armatosura kanë eksperiencë dhe guxim. Ukraina i përket NATO-s dhe NATO do të jetë më i fortë me Ukrainën”, ka thënë Sunak.
Traktati në mes të Britanisë dhe Ukrainës shoqërohet me një paketë ndihmash prej 2.5 miliardë paund, që vendit në luftë i nevojitet më shumë se kurrë. Ndërsa ndihma e Shteteve të Bashkuara është e bllokuar dhe në medie flitet nëse Perëndimi është i lodhur me ndihmat për Ukrainën.