“Sunny Hill” në Tiranë, bëhet i ditur lokacioni ku do të mbahet
Festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë. Ky festival që organizohet nga këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, është zhvendosur në Tiranë.
Tashmë është zbuluar edhe lokacioni ku do të mbahet festivali.
Shpat Begolli, anëtar i ekipit organizativ ka zbuluar se festivali do të mbahet në parkun buzë liqenit artificial të Tiranës.
Ai tha se Bashkia e Tiranës është zotuar se do t’i bëjë të gjitha adaptimet që festivali të mbahet aty.
“Është park, mirëpo atje është shumë më i madh sesa Gërmia. Si është kryer edicioni i vitit 2019, ne kemi kërkuar hapësirë të përshtatshme sepse festivali po rritej. Po të mbahej sot, Gërmia nuk do të na zinte”, është shprehur Begolli.
Begolli ka thënë thënë se gjithmonë kanë pasur ftesë nga Tirana që festivali të mbahej atje, por që ka thënë se zgjedhje e tyre ishte Prishtina.
Ndër të tjera, Begolli ka treguar për T7 se ata që kanë blerë biletat mund t’i kthejnë ato dhe t’i tërheqin paratë por që ata që vendosin të shkojnë në Tiranë nga Prishtina do të kenë lehtësira si, mbulimi i transportit.
Ndryshe, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka dalë me një komunikatë lidhur me zhvendosjen e Festivalit Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë. Vonesat nga kjo ministri u konsideruan si arsyeja kryesore e largimit të festivalit këtë vit, teksa komuna ka thënë se e ka bërë të pamundurën që të mos e humbasë organizimin.