Superkupa në Rahovec, i kushtohet Izet Gjinovcit
Të shtunën zhvillohen ndeshjet për Superkupën e Kosovës në hendboll. Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës ka vendosur që ndeshjet të zhvillohen në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. KH Rahoveci shfaqi interesim për të organizuar ndeshjet e Superkupës dhe Bordi të hënën konfirmoi “vreshtarët” si nikoqirë.
Prej orës 15:30 zhvillohet ndeshja e hendbollisteve mes Istogut dhe Ferizajt. Istogu është kampion në fuqi, ndërsa Ferizaj është fitues në fuqi i Kupës.
Prej orës 18:00 është ndeshja e hendbollistëve mes Rahovecit dhe Kastriotit të Ferizajt. Rahoveci është kampion, kurse Kastrioti fitues i Kupës. Bordi i FHK-së ka vendosur që ky edicion i Superkupës të njihet me emrin “Superkupa e Kosovës – edicioni Izet Gjinovci”.
Ky vendim u mor për të nderuar personalitetin dhe kontributin e ish-sekretarit të përgjithshëm të FHK-së, Izet Gjinovci, që ndërroi jetë më 5 gusht. Gjinovci për mbi dy dekada e mbajti postin e sekretarit të përgjithshëm të FHK-së. Në detyrë ishte deri në frymën e fundit, kurse kontributi i tij për hendbollin vlerësohet i madh. Pritet numër i madh i shikuesve në Rahovec dhe po ashtu spektakël hendbolli. Për trofe luftojnë katër skuadrat që arritën sukses të madh në edicionin e kaluar.