
Superliga e femrave, këto skuadra po dominojnë
Superliga e Kosovës në konkurrencën e femrave zhvilloi ndeshjet e xhiros së 12-të. Fitoren me rezultatin më bindës e realizoi skuadra e Dukagjinit, e cila e mposhti Llapin, me rezultat 8:0. Serinë e golave e hapi Erblina Berisha, që në minutën e dytë të ndeshjes. E njëjta futbollistëve realizoi edhe në minutën e 58-të, derisa në listën e golashënueseve u regjistruan edhe Aurona Racaj (23’, 38’), Lorena Gashi (30’), Gjenifer Pjetri (43’), Anjeza Berisha (49’) dhe Vanesa Nushi (72’).
Pas kësaj fitoreje vajzat e Dukagjinit arrijnë në kuotën e 31 pikëve, teksa një pikë më shumë ka skuadra kryesuese, Mitrovica. Kjo e fundit ka shënuar fitore si mysafire kundër Malishevës, me rezultat 5:0, duke mos i lënë futbollisteve vendase asnjë mundësi për të rezistuar. Nga dy gola për mitrovicaset i shënuan Eriona Emerllahu (28’, 88’) dhe Blearta Shala (31’, 44’), derisa me një gol kontribuoi Aurora Mulliqi (77’).
Ndërkohë, kjo xhiro u përmbyll me ndeshjen e zhvilluar sot ndërmjet Kosovës VR dhe Ulpianës, ku fitores iu gëzuan mysafiret, me shifrat 5:0. Dy herë rrugën e rrjetës e gjetën Liridona Leka (18’, 85’) dhe Shenarta Bela (60’, 69’), kurse autogol shënoi Amire Mustafa (19’).