Superliga me dy derbi në fundjavë
Java e 17-të e Superligës së futbollit do të hapet nesër.
Të premten, të shtunën dhe të dielën do të luhen pesë ndeshje të kësaj xhiroje, të cilat pritet të jenë mjaft interesante.
Këtë fundjavë na pret ajo që konsiderohet si ndeshja më e madhe e futbollit kosovar, respektivisht derbi më i madh, ai i Anamoravës.
Gjilani dhe Drita do t’i matin forcat të dielën në përballjen e tyre në stadiumin me bar artificial në Gjilan, në mungesë të stadiumit kryesor, i cili s’është renovuar ende.
“Intelektualët” do të mundohen t’i fitojnë tri pikët për ta ruajtur distancën ndaj ndjekësve, kurse “Skifterat” kanë nevojë për pikë po ashtu, por për një synim tjetër – për t’i ikur fundit të tabelës pasi e shohin veten vetëm një pikë larg zonës së rrezikimit.
Një tjetër sfidë interesante pritet të jetë ajo mes Ballkanit dhe Llapit.
Therandasit do ta kërkojnë këndelljen me trajnerin e ri, Orges Shehi, ndërsa llapjanët vijnë nga nëntë ndeshje pa fitore në Superligë dhe po ashtu iu nevojitet fitorja “si buka”.
Kjo xhiro do të hapet nesër me duelin mes Dukagjinit e Ferizajt.
Klinasit janë futur në një tjetër seri të zezë dhe një trepikësh do t’i këndellte sadopak.
Kurse, ferizajasit janë treguar të paparashikueshëm në këtë edicion dhe nesër do ta marrin rrugën drejt Klinës për të marrë pikë në “18 Qershori”.
E sfida e fundit do të jetë ajo mes Feronikelit 74 dhe Prishtinës.
Ekipi nga Drenasi e ka të domosdoshme fitoren për t’i mbajtur gjallë ato pak shpresa dhe gjasa që i kanë mbetur për mbijetesë.
Nga ana tjetër, prishtinasit duan t’ju japin fund gabimeve dhe ta gjejnë vazhdimësinë e fitoreve për të mbetur në garë për të shkuar në Evropë në edicionin e ri.
Të gjitha ndeshjet e kësaj fundjave do të nisin në orën 13:00.