Superliga rikthehet më 7 qershor dhe përfundon më 25 korrik
Më 7 qershor do të zhvillohen ndeshjet e para të Superligës së Kosovës në futboll pas rifillimit.
Edicioni është ndërprerë në mars për shkak të paraqitjes së koronavirusit, ndërsa skuadrat të hënën kanë nisur stërvitjet pasi për këtë dhanë leje organet e shëndetësisë.
Ndërkohë Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur mbledhje të hënën mbrëma dhe ka vendosur që edicioni të rifillojë më 7 qershor. Ndeshje do të ka deri më 25 korrik kur pritet të luhen takimet e fundit.
“Ndonëse në këtë fazë janë lejuar vetëm garat në Superligë, Komiteti Ekzekutiv varësisht prej situatës do të kërkojë që garat të lejohen edhe për rangjet tjera, gjithnjë duke mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve, përkatësisht futbollistëve. KE do të jetë në përkrahje të klubeve, duke ditur gjendjen e tyre të vështirë e sidomos tash në këtë kohë kur përgatitjet e tyre kërkojnë më shumë shpenzime”, thuhet në komunikatën e FFK-së.
Komiteti Ekzekutiv ka uruar klubet për rifillimin e garave dhe ka shpresë që gjithçka do të shkojë si duhet. Shpresat e FFK-së janë që mos të ketë lëndime dhe infektime nga koronavirusi dhe se lojtarët të dalin edhe më të fortë e më të shëndetshëm.