Superliga rikthehet me derbin Prishtina – Llapi
Në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 19:00 sonte mejdanin e ndajnë Prishtina dhe Llapi, kurse përballë do të jenë edhe dy trajnerët, Bylbyl Sokoli dhe Tahir Batatina. Asnjëri nga trajnerët nuk e ka parashikuar rezultatin e ndeshjes, përveç që janë deklaruar se do të jetë një derbi i fortë për të dy klubet.
IPKO Superliga e Kosovës në futboll rikthehet pas pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Derbi i javës se katërt në elitë zhvillohet sonte (e premte) në stadiumin “Fadil Vokrri” në mes të Prishtinës dhe Llapit. Kjo ndeshje është e veçantë për trajnerin e ri të Prishtinës, Bylbyl Sokolin, i cili debuton ndaj ish-skuadrës së tij. Siç dihet, Prishtina ndërpreu bashkëpunimin me trajnerin Mirel Josa pas rezultateve jo të mira në fillim të këtij kampionati dhe në vend të tij e emëroi Bylbyl Sokolin.
“Profa” ka folur para kësaj ndeshje derbi, por është treguar mjaft i matur duke mos zbuluar se a synon skuadra e tij fitore. Ai ka thënë se pret paraqitje të mirë ndaj një skuadre cilësore siç është Llapi. “Është ndeshja ime e parë dhe luajmë kundër një ekipi cilësor. Atmosfera në klub është jashtëzakonisht e mirë dhe po shpresoj në prezantim të suksesshëm të ekipit në ndeshjen time të parë. Jemi skuadër komplete, përveç Leonit Abazit i cili është duke e sanuar lëndimin që ka pasur gjatë javës”, ka thënë Sokoli për faqen zyrtare të klubit kryeqytetas.
Ndërsa për ndeshjen derbi foli edhe trajneri Tahir Batatina. Ky i fundit ka thënë të enjten për gazetë se skuadra e tij do të japë maksimumin në këtë ndeshje. “Me rëndësi është se atmosfera në skuadër është e shkëlqyer dhe gjatë pushimit dhjetëditor kemi punuar intensivisht. Do të jetë ndeshje e vështirë për të dy skuadrat dhe ne jemi shumë të motivuar për këtë ndeshje dhe do ta japim më të mirën nga vetja”, ka thënë Batatina.
Aktualisht Prishtina pozicionohet në pozitën e dhjetë me një pikë të grumbulluar nga dy ndeshjet e zhvilluara, kurse Llapi ka zhvilluar tri ndeshje dhe zë vendin e shtatë me katër pikë.
Sot (e premte) zhvillohet edhe ndeshja tjetër e javës së katërt në mes të Ballkanit dhe Trepçës ’89 nga ora 16:00. Dy ndeshje zhvillohen të shtunën, kurse dy ndeshjet e fundit për këtë xhiro zhvillohen të dielën.
IPKO Superliga
Të premten takohen:
16:00 Ballkani – Trepça ’89
19:00 Prishtina – Llapi
Të shtunën takohen:
16:00 Drita – Feronikeli
16:00 Drenica – Gjilani
Të dielën takohen:
16:00 Flamurtari – Dukagjini
16:00 Ferizaj – Vushtrria
/Veton ZYMBERI/