Superliga rikthehet me dy derbi
Vëmendja e sportdashësve në Kosovë, pas ndeshjeve të Përfaqësueses në Ligën e Kombeve, do të jetë në Suharekë dhe Podujevë. Në këto dy qytete do të përballen top skuadrat elitare Ballkani – Prishtina dhe Llapi – Drita.
Pas ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në Ligën e Kombeve ndaj Rumanisë (0-3) dhe Qipros (0-4), këtë fundjavë rikthehet Superliga e Kosovës me ndeshje mjaft interesante. Xhiroja e pestë zhvillohet përgjatë tri ditëve nga ora 15:00. Dy superderbi zhvillohen në këtë xhiro, ku fillimisht të shtunën në Suharekë kampionët e Ballkanit e presin Prishtinën.
Të dyja këto skuadra kanë pikë të barabarta, por kryeqytetasit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Kampionët në fuqi, pas humbjes nga Malisheva, do të tentojnë t’u rikthehen fitoreve dhe tash me trajnerin e ri Artim Pollozhani, i cili e zëvendëson të larguarin Ilir Daja. Të shtunën zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Ferizajt dhe Suharekës. Suharekasit e kanë nisur mirë edicionin e parë në elitë ku nga tri ndeshje ka grumbulluar shtatë pikë, derisa Ferizaj ka katër pikë në katër ndeshje dhe tash do të mund ta regjistrojë fitoren e dytë në këtë kampionat.
Synime të mëdha ka edhe skuadra e Suharekës që ka një organizim të mirë dhe synon rezultate sa më të mira në Superligë. Të dielën zhvillohet derbi i dytë i xhiros në mes të Llapit dhe Dritës në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Llapi nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë kampionatin, pasi nga katër ndeshjet e zhvilluara ka regjistruar vetëm një fitore, dy humbje dhe një barazim. Tash llapjanët do ta kërkojnë fitoren në një ndeshje të madhe për të pasur motiv për ndeshjet e radhës. Drita e ka zhvilluar vetëm një ndeshje dhe e ka fituar në elitë, pasi ndeshjet e tjera janë shtyrë për shkak të angazhimit në arenën ndërkombëtare. Dukagjini – Malisheva është ndeshja tjetër në program për ditën e diel.
Klubi nga Klina i humbi dy ndeshjet e para, por më pas i fitoi dy të tjerat dhe tash e synon fitoren e tretë radhazi. Malisheva, e motivuar pas fitoreve ndaj Ballkanit dhe Llapit, e synon të njëjtën gjë edhe ndaj Dukagjinit. Të hënën mbyllet java e pestë me ndeshjen Gjilani – Feronikeli ’74. Të dy këto klube janë në fundin e tabelës dhe kërkojnë rezultat pozitiv.
SUPERLIGA – Java e pestë
Të shtunën takohen:
15:00 Ballkani – Prishtina
15:00 Ferizaj – Suhareka
Të dielën takohen:
15:00 Llapi – Drita
15:00 Dukagjini – Malisheva
Të hënën takohen:
15:00 Gjilani – Feronikeli 74
/Epoka e re/