Superliga rikthehet me ndeshjen Gjilani – Ferizaj

17 tetor 2024 | 17:00

Superliga e Kosovës në futboll rikthehet nesër (e premte) me ndeshjet e javës së nëntë. Elita e futbollit e Kosovës ishte në pushim për shkak të ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës, e cila arriti dy fitore në Ligën e Kombeve, duke i mposhtur Lituaninë dhe Qipron.

Ndeshja e parë e Superligës zhvillohet sot mes Gjilanit dhe Ferizajt. Këto dy skuadra renditen në pozitën e shtatë dhe tetë dhe përpiqen të arrijnë fitore për t’u ngritur në renditjen tabelore.

“Na pret një ndeshje e vështirë, pasi skuadra e Ferizajt ka në përbërje shumë futbollistë cilësorë. Ata kanë një skuadër të shpejtë në ofensivë. Ne si staf kemi pasur kohë dy javë për ta analizuar kundërshtarin dhe këtë kohë e kemi shfrytëzuar të punojmë si në aspektin teknik, po ashtu edhe në atë taktik. Në grup na pret një përballje e fortë dhe kur  erdhëm këtë dihet se duhet ta japim maksimumin për t’i marrë tri pikë, të cilat janë shumë të rëndësishme për ne për të pasur ecuri të rezultateve pozitive”, ka thënë Ardian Nuhiu, trajner i Gjilanit.

Të shtunën është derbi në mes të Malishevës dhe Prishtinës. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj”. Vendasit do të provojnë të fitojnë dhe të vazhdojnë kryesimin në Superligë, në anën tjetër kryeqytetasit pritet ta japin maksimumin që t’i shkaktojnë telashe Malishevës dhe në këtë mënyrë të ngrehen në renditjen tabelore, pasi aktualisht janë në vendin e katërt me 4 pikë më pak se skuadra kryesuese, Malisheva, që ka 18 pikë. Të njëjtën ditë zhvillohet edhe ndeshja në mes të Feronikeli ’74 dhe Dritës, me gjilanasit që janë favoritë në këtë ndeshje.

“Nikli” ka vetëm një pikë të grumbulluar dhe zë vendin e fundit në tabelë. Të dielën është derbi i dy skuadrave nga qyteti i Suharekës, Ballkani – Suharekës. Kampionët në fuqi të Kosovë janë në vend të tretë me 14 pikë, kurse Suhareka e gjashta me 13 pikë. Ndeshje interesante pritet të jetë edhe ajo që zhvillohet në Klinë në mes të Dukagjinit dhe Llapit. Të gjitha ndeshjet zhvillohen nga ora 13:00.

Superliga / Java e nëntë

Të premten takohen:
Gjilani – Ferizaj

Të shtunën takohen:
Malisheva – Prishtina
Feronikeli ‘74 – Drita

Të dielën takohen:
Dukagjini – Llapi
Ballkani – Suhareka

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banka Botërore ka parashikuar që rritja ekonomike në Kosovë këtë…