Supremja e kthen në rigjykim rastin ndaj pesë të akuzuarve për vrasjen e kushëririt në fshatin Sadovinë e Vitisë

27 tetor 2023 | 16:39

Prishtinë- Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, me aktgjykimin e 25 shtatorit 2023, ka vendosur që të aprovohen kërkesat për mbrojte të ligjshmërisë të mbrojtësve të të akuzuarve Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Hizri Ismajli, duke konstatuar shkelje në aktgjykimet e shkallës së parë dhe asaj të Apelit.

Kështu, me këtë vendim Supremja ka vendosur që ky rast të kthehet në pikën zero për tu rigjykuar sërish në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, sa i përket të pandehurit Ermond Ismajli, Supremja ka vendosur që aktgjykimet  e dy shkallëve të mbeten të pandryshuara.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan më  21 mars të 2022 kishte bërë shpalljen e aktgjykimit duke i dënuar në total me 71 vite burgim 5 të akuzuarit për vrasjen e kushëririt të tyre. Apeli e uli për 11 vite këtë dënim.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 nëntor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, me 2 maj 2019, në fshatin Sadovina e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me 3 korrik, 2023, familja e Samet dhe Fisnik Ismajlit kishte reaguar me një incizim ndaj  aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan dhe atij të Gjykatës së Apelit.

Ky rast ishte trajtuar në emisionin “Tempus”, ku kanë diskutuar avokati Kujtim Kërveshi, mbrojtës i të dënuarit Samet Ismajli si dhe avokati Driton Muharremi, mbrojtës i të dënuarit Besmir Ismajli.

Avokati Kërveshi, ishte shprehur se video-incizimi tregonte se i mbrojturi i tij, as nuk e kishte prekur viktimën. Sipas tij, ajo që e bënë të frikshme është mënyra se këto prova trajtohen me moskujdes profesional, kalojnë filtra profesional dhe arrijnë deri në Gjykatën Supreme. Sipas Kërveshit, Gjykata e Apelit kishte dështuar profesionalisht dhe se pragu i drejtësisë ka rënë nën minimal.

Në anën tjetër, avokati Muharremi kishte thënë se është e rrallë në praktikë kur ekziston një video-incizim të pastër ku shihen lëvizjet e secilit akter dhe Gjykata e Apelit nuk e merr mundit ta shikoj por bazohet vetëm në dëshmitë e familjarëve të të ndjerit. Ai kishte shtuar se Kolegji në shkallë të dytë ishte papërvojë, ndërsa Apeli nuk kishte shqyrtuar lëndën mbi një vit.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë paraqitur, mbrojtësi i të akuzuar Besmir Ismajli, avokati Driton Muharremi, mbrojtësi i të dënuarit Samet Ismajli, avokati Kujtim Kërveshi, mbrojtësi i të dënuarit Fisnik Ismajli, avokati Florent Latifaj, mbrojtësi i të dënuarit Ismet Krasniqi, avokati Arbër Krasniqi, mbrojtësi i të dënuarit Hizri Ismajli, avokati Agnez Furra dhe Kryeprokurori i Shtetit.

Në arsyetimin e këtij vendimi, Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se shkalla e parë nuk është dashur që të mjaftohet vetëm me një administrim të ndarë të provave gjatë shqyrtimit gjyqësor, por që sipas Supremes është dashur që të shqyrtohet edhe mundësia e administrimit të njëkohshëm të disa provave, me theks të veçantë dëgjimin e dëshmitarëve së bashku me shikimin e video incizimeve të kamerave.

Po ashtu, sipas Supremes gjykata e shkallës së parë është dashur që të bëjë përpjekje për të shqyrtuar edhe mundësinë e dërgimit të këtyre vido-incizimeve në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, me qëllim që të shqyrtohet mundësia e zmadhimit dhe pastrimit të pamjeve-imazheve të tyre.

Tutje, në këtë aktgjykim thuhet se edhe arsyetimet e gjykatës së shkallës së parë dhe shkallës së dytë në lidhje me refuzimin e propozimit të disa provave të reja, përkatësisht të disa fotografive të cilat i kishte siguruar dëshmitari Korab Alidema e të cilat sipas Supremes, janë të mangëta.

Gjykata Supreme e Kosovës në aktgjykimin e saj, ndër të tjera ka përcaktuar se,  përveç tjerashm, është përgjegjësi e ekspertëve të mjekësisë ligjore, përcaktimi i shkakut, mekanizmit, mënyrës së vdekjes dhe rrethanave të tjera që kanë të bëjnë me vdekjen. Mbi këtë bazë Gjykata Supreme e Kosovës ka konsideruar se Gjykata e Shkallës së parë nuk është dashur të mjaftohet vetëm me këtë aspekt të konkluzioneve nga eksperti në fjalë.

Tutje, sipas arsyetimi të këtij vendimi ndër të tjera thuhet se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale të theksuara më lart, me të cilat është përfshirë aktgjykimi i shkallës së parë, e të cilat nuk janë evidentuar në aktgjykimin e shkallës së dytë janë të asaj natyre që nuk kanë mundur të evitohen nga Gjykata Supreme.

Sipas aktgjykimit të Supremes, gjykata e shkallës së parë duhet që ta caktoj edhe një herë shqyrtimin gjyqësor dhe ti evitoj të gjitha shkeljet e evidentuara nga ajo.

Përveç tjerash, shkalla e parë duhet që video-incizimet t’ia dërgoj Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, me qëllim të që shqyrtohet mundësia e zmadhimit dhe pastrimit të pamjeve- imazheve të tyre, si dhe gjithashtu të kërkohet nga ekspertët e kësaj Agjencie që nëse është e mundur nga video-incizimet e kamerave të lartcekura të krijohen edhe video incizime ne shpejtësi të ngadalësuara, në mënyrë që pamjet të jenë më të theksuara dhe më lehtë të vlerësuara. Po ashtu, marrja në pyetje e dëshmitarëve të cilët kanë qenë prezent ditën kritike në vendin e ngjarjes të bëhet duke ju prezantuar njëkohësisht të njëjtëve video incizimet e kamerave të theksuara.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, në nëntor të 2019-ës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, në maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I.

Sipas aktit akuzues, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit M.I, me këtë rast ky i fundit me familjarët e tij dalin për të biseduar lidhur me arritjen e një marrëveshjeje, për çka këta të fundit refuzojnë, e që më pas vazhdojnë me fyerje, të cilat sjellin eskalimin e situatës deri në konflikt fizik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit me mjete të forta si drunj dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar gërvishtje dhe gërvishtje lëkurore, për çka i njëjti nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, i ndjeri transferohet në QKUK në Prishtinë, ku edhe konstatohet vdekja e tij si rezultat i gjakderdhjes masive në kokë, e shkaktuar nga përdorimi i mjeteve të forta.

Në këtë drejtim, sipas prokurorisë, të akuzuarit në fjalë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje sipas aktit akuzues, i pandehuri Edmond Ismajli, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, në kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, me dashje u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet dhe Fisnik Ismajlit, në atë mënyrë që gjatë kacafytjeve, me një lopatë i godet të dëmtuarit dhe u shkakton atyre ndrydhje të indeve.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme deri me tre vite burgim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…