
Supremja e lë në fuqi dënimin prej 15 vite burgim ndaj Salih Mustafës
Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka rrezuar ankesat e mbrojtjes dhe ZPS-së kundër vendimit të Apelit i cili e dënoi Salih Mustafën me 15 vjet burgim në rishqyrtim.
Sipas vendimit të 25 shkurtit 2025, kryegjyqtarja Ekaterina Trendafilova ka treguar se Mustafa kishte kërkuar që procedurat në Supreme të pezullohen deri sa të merret ndonjë vendim për të lidhur me referimin e tij në Kushtetuese që e ka tani, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.
Në vendim tregohet edhe konteksti procedural ku thuhet se më 16 dhjetor 2022, Mustafa u dënua në shkallë të parë me 26 vjet burgim. E që më 6 prill 2023 u nxjerr urdhri për zhdëmtim ku Cali obligohet t’i paguaj 207 mijë euro për viktimat.
Pas ankesës në Apel, gjykata e shkallës së dytë e uli dënimin e tij nga 26 në 22 vjet burgim.
Ndërsa Supremja më 29 korrik 2024 kishe kthyer rastin në rivendosje ku kishte kërkuar një dënim të ri për Calin.
Ndërsa, më 10 shtator 2024, Apeli nxori vendimin me të cilin e dënonte Mustafën me 15 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa kundër vendimit të Supremes për kthimin e çështjes në rivendosje, Mustafa ishte ankuar në Kushtetuese. Ndërsa kundër vendimit të dytë të Apelit, Mustafa dhe ZPS-ja kishin bërë ankesa më 10 dhe 11 dhjetor 2024.
Në kërkesën e tij, Mustafa kishte parashtruar se Apeli ka gabuar në aplikimin e ligjit kur i ka caktuar dënimin prej 15 vjet vjet burgim për dënimin e tij për vrasje si krim lufte. Ai kërkon që dënimi i tij për vrasje si krim lufte të ulet gjë që rezulton edhe në uljen e dënimit unik.
“Saktësisht, Z. Mustafa pretendon se dënimi prej 15 vitesh burg për vrasje si krim lufte është i pabazuar në kuptimin e nenit 33(3) të Kushtetutës. Ai argumenton se Paneli i Apelit nuk ka marrë parasysh jurisprudencën e Kosovës, ku janë dhënë dënime më të ulëta në raste të ngjashme me të tijin dhe kështu ai është trajtuar ndryshe nga individët që janë gjykuar në Kosovë, duke shkelur nenin 33(3) të Kushtetutës”, thuhet në vendim.
Kjo kërkesë e Mustafës, sipas vendimit ZPS-ja ka thënë që duhet të hidhet poshtë duke argumentuar se pjesëmarrja e Mustafës në krime dhe numri i viktimave nuk justifikojnë një dënim më të ulët.
Ndërsa, paneli ka konstatuar dënimi prej 15 vjet i dhënë nga Apeli për vrasjen si krim lufte është brenda gamës së dënimit nga 5 deri në 25 vjet burg të identifikuar nga Supremja më herët duke u bazuar në nenin 44 (2) (a) të Ligjit.
“Prandaj, Paneli është i mendimit se zoti Mustafa nuk e ka treguar se si Paneli i Apelit mund të kishte arritur në një përcaktim tjetër në këtë kontekst. Paneli gjen se zoti Mustafa thjesht nuk është dakord me ushtrimin e diskrecionit nga Paneli i Apelit dhe se ai ka dështuar të identifikojë se si dënimi 15-vjeçar përbën një shkelje të ligjit penal”, thuhet në vendim.
Paneli ka refuzuar argumentet e Mustafës se ai është vendosur mbi standarde që janë vendosur rishtazi për dënimin. Sipas vendimit, Mustafa thjeshtë nuk është dakord me gjetjet e Supremes në lidhje me gabën e dënimit të identifikuar dhe si rrjedhojë pikën e parë të ankesës e kanë rrezuar.
Ndërsa ZPS-ja kishte pretenduar se Paneli i Apelit ka dështuar në aplikimin e nenit 44(1) të Ligjit i cili parashikon qq dënimi maksimal që mund të jepet në DhSK për krime lufte është ai me burgim të përjetshëm
“ZPS gjithashtu argumenton se Paneli i Apelit ka dështuar të përmendë nenin 44(2)(c) të Ligjit kur vendosi për uljen e dënimit të zotit Mustafa. Sipas ZPS, neni 44(1) i Ligjit është gama e vetme e detyrueshme për Dhomat e Posaçme dhe Paneli i Apelit ishte gjithashtu i detyruar të merrte parasysh nenin 44(2)(c) të Ligjit”, thuhet në vendim.
Veç kësaj, ZPS-ja ka pretenduar se kuadri ligjor i DhSK-së nuk lejon që gama e detyrueshme e dënimit me burgim të përjetshëm të kufizohet në asnjë mënyrë.
“ZPS po ashtu paraqet se, ndonëse Paneli i Apelit u referua gamës së dënimit prej 5 deri në 25 vjet në përputhje me nenin 44(2)(b) të Ligjit, ai dështoi të angazhohej më tej ose të analizonte origjinën e kësaj game dënimi, pra Kodin Penal të Kosovës të vitit 2019. ZPS argumenton se Paneli i Apelit gjithashtu dështoi të merrte parasysh praktikat e dënimit të Kosovës lidhur me Kodin Penal të Kosovës të vitit 2019, të cilat tregojnë se zoti Mustafa mund të ishte dënuar me një dënim prej 21 vitesh deri në burgim të përjetshëm për një vrasje të vetme”, thuhet në vendim.
Në përgjigjen e tij, Mustafa përmes mbrojtjes së tij ka argumentuar se ZPS-ja këtë çështje po e ngritë për herë të parë m ç’rast nuk ka qenë mundësia e kundërshtimit në fazat paraprake duke argumentuar se këto çështje nuk mund të paraqiten nga ZPS-ja në ankesë. Si rrjedhojë, Mustafa pretendonte se kjo pikë e ZPS-së duhet refuzuar.
“Duke qenë se ZPS ka deklaruar qartë se vendimi i Gjykatës së Lartë është përfundimtar, zoti Mustafa argumenton se ai nuk mund të sfidohet sërish në këto procedura. Ai gjithashtu argumenton se arsyeja e dytë nuk i përmbush standardet e pranueshmërisë dhe duhet të shpallet e papranueshme ose përndryshe të refuzohet për arsye të papërshtatshmërisë”, thuhet më tej në vendim.
Paneli ka vërejtur se ZPS nuk argumenton se Paneli i Apelit ka dështuar të aplikojë ligjin penal në përputhje me vendimin e Gjykatës së Supreme. Si rrjedhojë refuzoi kërkesën e ZPS-së.
Vendimin e Apelit, ZPS-ja e ka quajtur arbitrar me arsyetimin se ata ishin të detyruar që të ofronin opinion të arsyetuar që përbenin faktet, dispozita ligjore përkatëse dhe marrëdhëniet logjike në mes tyre por që këtë gjë nuk e beri.
Vendimi arbitrar sipas ZPS-së ishte për shkak se ai nuk trajtoi çështje thelbësore dhe nuk garantoi që çdo palë të marrë pjesë në çështje dhe të jetë në dijeni të rezultatit në një mënyrë të parashikueshme.
Si rrjedhojë, Trendafilova në vendimin e saj ka rikujtuar se më herët Supremja kishte udhëzuar Apelin ta rishikonte dënimin e saj ndaj Mustafës në përputhje me udhëzimet që iu janë dhënë. Ndërsa, sipas saj, ZPS-ja nuk ka arritur të tregojë se si paneli i Apelit ka dështuar që të respektoj vendimin e Supremes. Kurse, shtoi se vërehet se Apeli ka arsyetuar në mënyrë të gjerë vendimin e tij dhe ka bërë referencë udhëzimet që i janë dhënë në këtë drejtim.