Surdulli bën thirrje që mos të manipulohet procesi zgjedhor i PDK-së në Gjilan
Shefik Surdulli, sekretar i degës së PDK-së në Gjilan dhe anëtar i komisionit lokal të kësaj dege, ka thënë se është e kuptueshme se gara zgjedhore demokratike në këtë parti në Gjilan sjell konkurrencë vlerash, sikundër edhe dëshirën dhe pretendimet e disave për ta rrëmbyer “kalanë”, por sipas tij “jo me çdo kusht e me çdo çmim fitohet ajo”.
Përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Surdulli ka pohuar se ia tërheqin vërejtjen siç ka thënë ai “një kaste manipulatorësh brenda degës së PDK-së në Gjilan, që menjëherë të heqin dorë nga tendencat për ta manipuluar procesin zgjedhor nëpër disa kuvende me mercenarë dhe votues jashtë territorit të nëndegës përkatëse, për t’i luftuar më çdo çmim kuadrat reprezentuese të PDK-së që kanë mendim dhe përcaktim të qartë politik, ndryshe nga ata”.
Ai ka theksuar se “elektorati i brendshëm i PDK-së tash e ka rastin të mos e falë më këtë kastë mëkatarësh, hipokritësh e mashtruesish, të cilët sipas tij edhe këtë proces zgjedhor si çdo gjë tjetër, gjithnjë e shohin në relacion vetëm me interesin e tyre personal”.
Postimi i plotë i Shefik Sudullit:
“Dekada e Re” në Gjilan drejt epilogut triumfues
Zgjedhjet e Partisë Demokratike të Kosovës në nëndegën IV të qytetit, ishin shembull që duhet ndjekur nga të gjitha nëndegët që akoma nuk e kanë përmbyllur procesin zgjedhor.
Ishte ky një kuvend zgjedhor që do t’ia kishte për lakmi secila nëndegë e PDK-së.
Me një pjesëmarrje prej mbi njëqind delegatë, me një sjellje të kulturuar e disiplinë të një niveli të lart, me votën e lirë e demokratike, me një konkurrencë të dyfishtë, për kryetar të nëndegës IV nxori profesorin universitar të shkencave kompjuterike, Liridon Hotin, i cili edhe sot dëshmoi fuqinë e tij politike, intelektuale, autoritetin e tij dhe përkushtimin për Partinë Demokratike të Kosovës dhe filozofinë e saj politike “Dekadës së Re”.
Madhështinë e tij, Liridon Hoti e shpërfaqi kur me delikatesë kërkoi nga nxënësi i tij, ta lëshoj sallën me mirëkuptim, i cili kishte ardhur aty sigurisht për ta mbështetur profesorin e tij, por që nuk i përkiste kësaj nëndege – në kundërshtim me rregullat zgjedhore.
Nuk përfundoi e gjitha me kaq. Kuvendi pastaj zgjodhi edhe delegatët për kuvendin e Degës. Zgjodhi përfaqësuesit eminent të saj, kuadro të përgjegjshme të dëshmuara politike – kombëtare, profesionale, intelektual të rangut si, Prof. Mehmetali Rexhepi; profesorin Afrim Isufi, pastaj, veprimtarin e hershëm, njeriun stoik e të ndërgjegjshëm, Nazmi Bekteshin, si dhe studenten e shkëlqyer, Elvira Pajaziti, pa i përjashtuar assesi edhe garuesit tjerë që përfaqësojnë vlerën e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan.
Të njëjtën kohë, një evoluim i “Dekadës së Re” (pas shumicës së nëndegëve tjera) ka ndodhur edhe në nëndegën tjetër të qytetit, në nëndegën XXIV, delegatët e së cilës në mënyrë anonime, vunë në krye të saj, poashtu nga klasa e brezit të ri, Endrit Jetishin, një djalosh të shkëlqyer të profilit të shkencave politike dhe Administratës Publike.
Ne e kuptojmë garën zgjedhore demokratike që sjell konkurrencë vlerash, sikundër edhe dëshirën dhe pretendimet e disave për ta rrëmbyer “kalanë”, por jo me çdo kusht e me çdo çmim fitohet ajo. Prandaj, i tërheqim vërejtjen një kaste manipulatorësh brenda Degës së PDK-së në Gjilan, që menjëherë të heqin dorë nga tendencat për ta manipuluar procesin zgjedhor nëpër disa kuvende me mercenarë dhe votues jashtë territorit të nëndegës përkatëse, për ti luftuar më çdo çmim kuadrat reprezentuese të PDK-së që kanë mendim dhe përcaktim të qartë politik, ndryshe nga ata.
Elektorati i brendshëm i PDK-së, tash e ka rastin të mos e falë më këtë kastë mëkatarësh, hipokritësh e mashtruesish, të cilët edhe këtë proces zgjedhor, si çdo gjë tjetër, gjithnjë e shohin në relacion vetëm me interesin e tyre personal.
Pavarësisht nga kjo, fryma e reformave në kuadër të “Dekadës së re”, është e pandalshme.