Suspansa

08 mars 2023 | 08:27

David Lodge

Në fillim, kur vdekja dukej e pamundur, sepse nuk iu kishte afruar kurrë më parë, Knighti nuk mendonte për të ardhmen, as për ndonjë gjë që lidhej me të kalu­arën. Ai vështronte ashpër përpjekjen e pabesë të Naty­rës që dëshironte ta vriste dhe përpiqej ta pengonte.

Fakti se shkëmbi formonte sipërfaqen e brendshme të segmentit të cilindrit bosh, duke pasur qiellin lart dhe detin poshtë, që kufizonte gjirin në masën e një gjysmë­rrethi, ai shihte sipërfaqen vertikale lakuar përreth tij. Shikoi poshtë faqes së shkëmbit dhe e kuptoi kërcë­nimin. Tmerri i vërehej në çdo tipar, madje edhe në zorrë forma e rrezikut ishte rrënuese.

Me një ndërthurje të zakonshme të gjërave, ku bota e pajetë ndërsen mendjen e njeriut kur ndalet në çaste pezullie, përballë syve të Knightit ishte ngulur një fosil, që qëndronte në reliev të ulët nga shkëmbi. Ishte krijesë me sy. Sytë, të vdekur e të ngurtësuar, po e shikonin edhe tani. Ishte krustac i hershëm i quajtur Trilobite. Të ndarë mes vete nga miliona vjet, dukej se Knight dhe kjo krijesë ishin takuar në vendin e vde­kjes së tyre. Ishte e vetmja gjë, brenda fushëpamjes së tij, që kishte qenë e gjallë dhe kishte pasur trup për t’u shpëtuar siç ishte ai tani.

THOMAS HARDY, Një palë sy të kaltër (1873)

ROMANET JANË NARRATIVA dhe narrativa në çfarëdo mediumi – fjalë, film, film vizatimor – ngjall interesin e audiencës duke ngritur pyetje në mendjet e tyre dhe duke vonuar përgjigjet. Pyetjet përgjithësisht janë dy llojesh dhe kanë të bëjnë me kauzalitetin (p.sh. kush e bëri?) dhe kohëshmërinë (p.sh. çfarë ndodh më pas?) secila e shfaqur në formë të pastër në storjet kla­sike me detektivë, përkatësisht storjet me aventura. Suspansa është efekt i lidhur sidomos me storjet aven­tureske dhe me shartimin e storjeve me detektivë dhe storjeve me aventura të njohura si triler. Narrativat e tilla dizajnohen asisoj që ta vënë heroinën ose heroin vazhdimisht në situata ekstreme rreziku dhe, sa i për­ket përfundimit, ato ngjallin emocione të frikës, dhemb­shurisë dhe ankthit te lexuesi.

Meqenëse suspansa, në mënyrë të veçantë, është e lidhur me format e popullarizuara të fiksionit, ajo shpesh përbuzej ose degradohej nga romancierët e per­iudhës moderne. Për shembull tek Uliksi i Xhejms Xhojsit ngjarjet banale dhe të papërfunduara të një dite në Dub­linin modern mbivendosen sipër storjes hero­ike dhe të mbyllur të kthimit të Odiseut nga lufta e Trojës, duke lënë të nënkuptohet se realiteti është më pak emocio­nues dhe më i papërcaktuar sesa fik­sioni tradicional na bën të besojmë. Por, ka pasur shkrimtarë të mëdhenj, veçanërisht në shekullin e nëntëmbëdhjetë, që me vetë­dije huazuan mjetet e sus­pansës nga fiksionet e popu­llarizuara dhe i përdoren për qëllime të tyre.

I tillë ishte Thomas Hardy, romani i parë i botuar i të cilit, Shërime dëshpëruese (1871), ishte “roman sensa­cional” në stilin e Wilkie Collinsit. Vepra e tij e tretë, Një palë sy të kaltër (1873), ishte më lirike dhe psiko­logjike. Ajo mbështetej në miqësinë e Hardit me gruan e tij të parë në mjedisin romantik të Cornwallit verior dhe ishte romani i pëlqyer i mjeshtrit të fiksioneve auto­biografike moderne, Marsel Prustit. Por, ajo për­mban një skenë klasike të suspansës që, me sa e di, ishte tërësisht e shpikur. Vetë termi rrjedh nga fjala latine që do të thotë “varje” dhe vështirë se ekziston situatë më produktive e suspancës sesa ajo e njeriut që ngjitet me majat e gishtave në sipërfaqen e shkëmbit, ku është e pamundur të ngjitet sigurt – për pasojë kemi termin e përgjithshëm “cliffhanger[1]“ (varje në shkëmb).

Pothuajse në gjysmë të veprës Një palë sy të kaltër heroina e re dhe kapriçioze, Elfrida, vajza e famulli­tarit kornish, e merr teleskopin në majë të një shkëmbi të lartë me pamje nga Kanali i Bristolit, për ta parë anijen që e sillte nga India në shtëpi, arkitektin e ri me të cilën ishte fejuar fshehurazi. Ajo është e shoqëruar nga Henry Knight, mik i njerkës së saj, burrë i pjekur, inte­lektual, që i kishte propozuar fejesë dhe ndaj të cilit ndien tër­heqje të fajshme. Posa ulen në majë të shkëm­bit, kapela e Knightit fluturon drejt thepit dhe, kur përpiqet ta kapë, bie dhe nuk është në gjendje më të ngjitet në shpa­tin e rrëshqitshëm dhe përfundon duke rënë disa qindra metra poshtë. Përpjekja impuls­ive e Elfridës ta ndih­mojë, vetëm i vështirëson gjërat më shumë dhe ndërsa ajo ngjitet prapë në vend të sigurt, aksidentalisht bën që ai të rrëshqasë drejt katastrofës. “Ndërsa rrëshqet nga­dalë inç pas inçi… Knight bëri një vërsulje të fundit dëshpëruese në tufën e pakët të bimësisë – në nyjat e zgjatura të barishteve të thara ku shfaqej shkëmbi i zhveshur. Kjo ndali rënien e tij të mëtejshme. Knight tani vërtet varej nga krahët e tij.”.. (kursivi im). Elfrida humb nga pamja e Knightit, me gjasë të kërkojë ndihmë, megjithëse ai e dinte se ata gjendeshin milje larg nga çdo frymë njeriu.

Çfarë ndodh më pas? A mbijeton Knighti dhe, nëse po, si? Suspansa mbahet vetëm duke i vonuar përgji­gjet e këtyre pyetjeve. Një mënyrë për ta bërë këtë, për dashamirët e kinemasë (efektet e së cilës Hardy i anti­cipoi shpesh në fiksionet e gjalla vizuale) do të ishte kryqëzimi i ankthit të Knightit me përpjekjet e furi­shme të heroinës për të gjetur shpëtim. Por Hardy dëshiron ta befasojë Knightin (dhe lexuesin) me rea­gimin e Elfridës ndaj urgjencës dhe për këtë arsye rrëfimin e skenës e kufizon vetëm nga këndvështrimi i Knightit. Suspansa zgjatet duke përshkruar në detaje mendimet e tij teksa kapet pas sipërfaqes së shkëmbit. Këto men­dime janë ato të një intelektuali viktorian, mbi të cilin zbulimet e fundit në gjeologji dhe historinë natyrore, veçanërisht vepra e Darvinit, kishin lënë përshtypje të thella. Fragmenti ku Knight kupton se po shikon sytë, “të vdekur e të ngurtësuar”, të një artropodi të fosi­lizuar miliona vjet të vjetër, është diçka që vetëm Hardy do ta shkruante. Vepra e tij shquhet për ndërrime të tilla befasuese të këndvështrimit, që shpërfaqin figurën e brishtë njerëzore të sunduar nga Universi, ku dimen­sionet e mëdha hapësinore dhe kohore, realisht, sapo kishin filluar të kuptoheshin. Dhe personazhet e tij, gabimisht, por kuptueshëm, në këtë çekuilibër nivelesh gjithmonë lexojnë një lloj ligësie kozmike. Nga përballja me sytë e vdekur të fosilit që, në fushëshikimin e tij, zëvendësojnë sytë e kaltër të gjallë e joshës të Elfridës, Knight kupton diçka të re, sa prekëse dhe të tmerrshme, mbi vdeksh­mërinë e tij.

Skena zgjat disa faqe me të njëjtat mjete: reflektime filozofike mbi gjeologjinë, parahistorinë dhe zemër­ligësinë evidente të Natyrës (era fshikullonte rrobat e Knightit, shiu ia shponte fytyrën, dielli i kuqërremtë e vështronte “me shikim të dehur”) të shënjuara me pye­tje që e mbajnë telin e supspansës narrative të nderë: “A do të vdes?… Ai shpreson në shpëtim, por çfarë mund të bëjë vajza? Ai s’guxon të lëvizë asnjë inç. A po ia shtrinte, vërtet, vdekja dorën?”

Natyrisht, Elfrida e shpëton. Nuk do ta zbuloj se si ndodh kjo, veçse t’ju them, t’i inkurajoj ata që ende nuk e kanë lexuar këtë libër të mirë, se shpëtimi për­fshin heqjen e gjithë rrobave të saj.

 

Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi. Marrë nga libri “Arti i fiksionit”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”. Të drejtat e botimit, “Armagedoni”.

[1] Cliffhanger është mjet intrige në të cilën komponenti i storjes përfun­don pazgjidhur, zakonisht në formë të supsansës. Cliffhanger është edhe një lloj rrëfimi ku fundi është befasues, në mënyrë që personazhet kryesore të lihen në situatë të vështirë, pa ofruar zgjidhje të konfliktit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Andrew Lawrence / The Guardian Ata që shkruanin në…