Suspendohet mjeku i QKUK-së që kërkoi ryshfet për operacionin e 19 vjeçarit
Kirurgu në Kirurgjinë Abdominale, Enver Fekaj, është suspenduar nga detyra e kirurgut pasi që i njëjti nuk kishte pranuar ta operojë 19 vjeçarin Hysen Ibrahimaj në QKUK, ashtu siç e kishte operuar për herë të parë në një spital privat.
Lajmin për “Express” e ka konfirmuar Zyra e Drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu.
Suspendimi për të njëjtin vlen derisa komisioni disiplinor ta hetojë të gjithë çështjen në fjalë.
Ndërkohë që drejtori i Abdominales, Rifat Bajrami, vazhdon të mbetet në komisionin disiplinor. Vendimi për të dy këta është marrë dje.
“Ju informoj se konform kompetencave ligjore që ka u.d. drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, ka reaguar menjëherë me masa ligjore. Ka dërguar në komision disiplinor dr. Enver Fekaj, kirurg abdominal dhe dr. Rifat Bajrami, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë abdominale. Sot, ka suspenduar përkohësisht nga puna dr. Fekaj sipas legjislacionit në fuqi, deri në një vendim të komisionit disiplinor”, wshtw në përgjigjen e Zyrës së Drejtorit të ShSKUK-së dhënë “Expressit”.