Suu Kyi nuk merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Zyrtarë në Mianmar kanë konfirmuar se udhëheqësja de facto e këtij vendi, Aung San Suu Kyi, nuk do të ndjekë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila do të nisë punimet javën e ardhshme.
Ministri për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Kyaw Tin, i cili po e shoqëron Suu Kyinë në një takim të Forumit Ekonomik Botëror në Vietnam, ka thënë se “ajo nuk ka asnjë plan për të shkuar atje”.
Ai nuk ka dhënë ndonjë arsye specifike për këtë vendim.
Suu Kyi, partia e së cilës ka ardhur në pushtet në vitin 2016, nuk i ka ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme as vitin e kaluar.
Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe është përballur me kritika dhe presion ndërkombëtar për shkak të, siç është thënë, neglizhencës ndaj abuzimeve që i ka bërë ushtria e Mianmarit pakicës myslimane Rohingya.
Dhuna ndaj Rohingyave, e cila ka nisur qysh në gusht të vitit të kaluar, ka zhvendosur qindra-mijëra njerëz të këtij komuniteti. (Rel)