Sveçla: Aktakuza për Banjskën e anashkalon përgjegjësinë e institucioneve të Serbisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kritikuar Prokurorinë Speciale në lidhje me aktakuzën për rastin në Banjskë.
Ai ka thënë se aktakuza në fjalë është e vonshme dhe jo e plotë.
Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, ai ka deklaruar se në aktakuzë është dashur të jetë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Më në fund kemi një aktakuzë që për mua është e vonshme, por edhe e paplotë, duke qenë se ne e dimë që kanë qenë diku rreth njëqind terroristë të kyçur drejtpërdrejt në këtë sulm. Po ashtu, ka qenë evidente organizimi dhe përkrahja nga ana e institucioneve të Serbisë. Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku (presidenti i Serbisë, Aleksandër) Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë. E, çuditërisht, në aktakuzë nuk është as komandanti i kësaj kazerme, as zëvendëskomandanti i kazermës, as komandanti i Ushtrisë së Serbisë, e pse jo edhe vetë Vuçiq në qoftë se ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë sulm. Por, për këta tre të parët që i përmenda, tashmë kemi dëshmi që jo vetëm e kanë mundësuar trajnimin e këtij grupi terrorist, por edhe e kanë furnizuar këtë grup terrorist me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë. Prandaj, po them që kjo aktakuzë është pak e vonshme, por edhe e paplotë”, ka thënë ai.
Ai ka kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtare që nuk po i bën presion sa duhet Serbisë për akstradimin e Milan Radoiçiqit.
“Megjithatë, unë jam i bindur se duke punuar më shumë, duke u fuqizuar më shumë, duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar që ta rrisë presionin ndaj Serbisë, Serbia, herët a vonë, do të detyrohet të dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët. Fundi i fundit, sipas ligjeve të Kosovës, gjykimi në mungesë mund të ndodhë dhe pastaj, pas aktgjykimit, këta terroristë do të mund të kërkohen edhe përmes Interpol-it dhe lëvizja e tyre do të kufizohej jashtëzakonisht shumë. Në të njëjtën kohë, ne duhet të bëjmë që Serbia të paguajë një çmim të shtrenjtë për mosakomodimin e kërkesave legjitime të drejtësisë”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, në aktakuzë anashkalohet përgjegjësia e individëve dhe institucioneve të Serbisë në këtë sulm.
“Unë besoj se kjo është pyetje për Prokurorinë Speciale. Unë, duke qenë se i kam parë dëshmitë, jam i bindur… por edhe profesionistë të fushave juridike e të sigurisë e ngrenë të njëjtën çështje: pse me këtë aktakuzë, në njëfarë mënyre apo tjetër, anashkalohet përgjegjësia e individëve dhe institucioneve të Serbisë në këtë sulm terrorist?!”, ka deklaruar Sveçla.