Sveçla deklarohet rreth vdekjes tragjike të 26-vjeçarit nga Gjilani
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), Xhalal Sveçla është deklaruar për herë të parë pas vdekjes tragjike të të riut nga Gjilanit, në Qendrën e Studentëve.
Sveçla në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se momente të tilla janë të vështira për të gjithë, veçanërisht për familjarët e 26-vjeçarit. Në këtë kontekst, Sveçla i ka bërë thirrje prokurorisë që ta trajtojë këtë rast me prioritet.
Postimi i plotë i Sveçlës:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Dje jemi ballafaquar të gjithë, si individë, si familjarë, si institucione e si Republikë me lajmin tragjik mbi shuarjen e një jete të re. Momentet e këtilla janë të vështira për të gjithë, e në radhë të parë për familjen. Me këtë rast dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Musliu.
Momentet e këtilla kërkojnë reagim të menjëhershëm të institucioneve të rendit dhe po ashtu, solidaritet të gjithë shoqërisë me dhimbjen e familjes.
Dua t’ju informoj që në pajtim me kompetencat e mia, kam kontaktuar drejtorin e Policisë dhe kam kërkuar angazhim maksimal të Policisë në hetimin e këtij rasti. Ju siguroj që të gjitha masat që janë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të ndërmerren pa asnjë hezitim.
Me këtë rast i bëj thirrje Prokurorisë që ta trajtojë këtë rast me prioritet absolut dhe shpresoj që rastet e këtilla të mos përsëriten. /Epoka e re/ L.G/