Sveçla dhe Balla vizitojnë pikën kufitare në Vërmicë: Nuk do të ketë kontrolle
Nga sot (e mërkurë), me qëllim të realizimit në mënyrën më të mirë të mundshme të marrëveshjes për heqjen e kontrolleve kufitare për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, do të aktivizohet korsia e veçantë e kalimit kufitar në Vërmicë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla, gjatë vizitës në këtë pikë kufitare ku ishte i pranishëm homologu i tij nga Shqipëria ka thënë se mes të dy vendeve tona nuk do të ketë kontrolle për qytetarët, por po punohet për të pasur sisteme të avancuara teknologjike që luftojnë ilegalitetet ndërkufitare.
Postimi i plotë i Sveçlës në “Facebook”:
25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës e shënojmë pa kufij me Shqipërinë
Bashkë me homologun e mikun tim, ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla, sot vizituam pikë kalimin e përbashkët kufitar në Vërmicë. Me qëllimin e realizimit në mënyrën më të mirë të mundshme të marrëveshjes për heqjen e kontrolleve kufitare të qytetarëve të dy vendeve tona, nga sot do të aktivizohet korsia e veçantë e kalimit kufitar për ta. Mes dy vendeve tona nuk do të ketë kontrolle për qytetarët tanë por po punojmë që të kemi sisteme të avancuara teknologjike që luftojnë ilegalitetet ndërkufitare.
Në shënim të përvjetorit të çlirimit të vendit tonë, janë shënjuar edhe 20 vendkalimet e veçanta për banorët e brezit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilat do të mundësohet lëvizja e lirë mes banorëve të atyre zonave.
Vazhdojmë, me qëllimet më të mira të përafrimit të vendeve tona dhe qytetarëve tanë, ashtu siç na njeh historia.