Sveçla dhe Roosemont biseduan për sfidën e menaxhimit të migrimit të parregullt
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur të mërkurën në takim drejtorin e Zyrës për Migrim nga Mbretëria e Belgjikës, Freddy Roosemont dhe ambasadorin e Belgjikës Gregoire Cuvelier me të cilët biseduan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës që hyn në fuqi nga data 1 janar 2024.
Sipas njoftimit të MPB-së, Roosemont përgëzoi qytetarët e Republikës së Kosovës që nga data 1 janar do të lëvizin pa viza drejt Belgjikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian dhe theksoi që kjo do të jetë një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik dhe thellim të lidhjeve mes shteteve dhe qytetarëve.
Ministri Sveçla falënderoi Roosemontin për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Belgjikës për Republikën e Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar tashmë fushatën njoftuese në të gjitha komunat dhe për të gjithë qytetarët mbi procedurat dhe kriteret e lëvizjes së lirë nga data 1 janar 2024.
Ministri Sveçla dhe Roosemont biseduan edhe për sfidën e menaxhimit të migrimit të parregullt me ç’rast ministri njoftoi delegacionin që institucionet e Republikës së Kosovës janë të angazhuara maksimalisht në luftimin e këtij fenomeni duke përfshirë edhe rregullativën ligjore për menaxhimin me migrantë.
Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Belgjikës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe mbesim të përkushtuar që këto raporte të vijojnë edhe më tutje.