Sveçla dhe Tërnava diskutojnë për parandalimin e përhapjes se koronavirusit në Kosovë
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, me të cilin ka biseduar për situatën në të cilën gjendet vendi ynë, në këtë kohë të pandemisë globale me Covid-19, për angazhimet që janë duke i bërë institucionet e Kosovës në parandalimin e përhapjes së këtij virusi dhe në përgjithësi për menaxhimin e situatës.
Sveçla ka theksuar se tashmë kemi hyrë një fushatë intensive vetëdijesuese, ku është e domosdoshme përcjellja mesazheve që janë duke u bërë nga institucionet e Kosovës, në veçanti Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për tu kërkuar qytetarëve të Kosovës që t’i zbatojnë vendimet që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Më tutje, Sveçla ka kërkuar që në kuadër të këtyre përpjekjeve të intensifikohen thirrjet edhe nga Bashkësia Islame në Kosovë.
“Për MPBAP-në përfshirja e BIK-ut dhe bashkësive të tjera fetare në Kosovë në fushatën vetëdijesuese, do të ndihmonin jashtëzakonisht shumë që tu kërkojnë qytetarëve t’i reduktojnë daljet e tyre vetëm atëherë kur vlerësohet se është e domosdoshme”, ka thënë Sveçla.
Ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka përgëzuar institucionet e Kosovës për angazhimin që janë duke bërë në menaxhimin e kësaj situate.
Ai ka thënë se në këtë sfidë do të kenë patjetër mbështetjen e BIK-ut, në mënyrë që bashkërisht ta luftojnë me të gjitha forcat edhe me ndihmën e Zotit ta tejkalojmë këtë sfidë me përmasa globale.
Në fund të takimit, myftiu Tërnava ka vizitar Qendrën Operative ku po punojnë Grupi Ndër-institucional për menaxhimin e incidenteve 24/7.