Sveçla i druhet eskalimit të situatës në veri
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka thënë se i druhet një eskalimi të paralajmëruar të situatës në veri.
Në “Interaktiv të “KTV”-së, ka thënë se lajmet e fundit janë se ka rrezik për eskalim të situatës në veri.
“Institucionet e Kosovës kanë thënë se janë të gatshëm të përballen me çfarëdolloj situate. Policia ka ndërprerë pushimet, e fakti që ndërpriten pushimet e zyrtarëve të uniformuar tregon se ka vend për shqetësim. Në anën tjetër ka deklarata kërcënuese nga Serbia, qoftë edhe përmes Listës Serbe për të cilën ne e dimë se çfarë është në gjendje të bëjë”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo duhet nuk duhet të ndodhë.
“Jam jashtëzakonisht i frikësuar se mund të ndodhë edhe ndonjë aventurë e Hashim Thaçit, për t’i çuar forcat e armatosura në veri pa asnjë përgatitje paraprake, siç ishte ajo e 25 korrikut kur u vra Enver Zymberi ose ajo kur u arrestua e bë maskarada me Marko Gjuriqin”, ka thënë Sveçla.