Sveçla: Kemi gjetur dokumente që dëshmojnë lidhjen e Radojiçiqit me grupin terrorist
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka folur në konferencë për medie ku është prezantuar armatimi i kapur afër Banjskës në Zveçan.
Sveçla ka bërë me dije se së paku tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë, dy janë arrestuar, dhe katër të arrestuar të tjerë dyshohen për mbështetje, kurse gjashtë persona të lënduar janë duke u trajtuar në Spitalin e Novi Pazarit.
Sveçla ka bërë të ditur se janë gjetur dokumente që dëshmojnë përfshirjen e kriminelit Milan Radojiçiq në këtë sulm terrorist.
“Në objektet brenda dhe në vetura janë gjetur harta e plane që tregojnë për organizimin e gjatë të mirëmenduar dhe bashkërenduar. Këto harta e dokumente janë dëshmi se nuk kemi të bëjmë me grupe lokale, por organizim terrorist të udhëzuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendorë e të huaj është konstatuar se për këtë organizim duhen përgatitje disa muaj. Pra nuk ka qenë diçka ad-hoc. Në këto materiale kemi gjetur dokumente të kriminelit Milan Radojiçiqi, që dëshmojnë lidhjen e tij dhe pjesëmarrjen në këtë aksion. Kjo është lista e armëve, apo leje zyrtare të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radojiçiq”, ka thënë Sveçla, duke shtuar se policia është ballafaquar me një numër sulmesh nga bandat në veri.
“Policia jonë është ballafaquar me sërë sulmesh të organizuara mirë nga persona të maskuar, nga njësi profesionale e speciale të mbështetura financiarisht e logjististikisht nga Serbia. Ata kanë pasur edhe mjete të renda si auto-blinda me të cilat kanë zhvilluar operacionin e tyre. Falë profesionalizmit të Policisë, plani i tyre ka dështuar. Në shkëmbimin e zjarrit mes grupit të organizuar dhe policisë, kanë mbetur tre të vrarë nga ta të gjithë me uniforma e me pajisje, dhe janë arrestuar dy të tjerë. Dhe katër persona që kanë qenë në rolin e tyre mbështetës në këtë aktivitet. Njëri nga të arrestuarit ka qenë i plagosur, atij i është dhënë ndihma e parë nga policia në terren e pastaj edhe në spitalin e Mitrovicës. Asnjë person civil nuk është lënduar nga ky aksion. Sipas informatave të deritashme 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit, dhe kërkojmë që ata t’i dorëzojë autoriteteve të Kosovës”, ka deklaruar ai.