Sveçla: Këto zgjedhje do t’i neutralizojnë shantazhet e Beogradit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se deri më tani procesi i zgjedhjeve në komunat e veriut sa i përket çështjes së sigurisë është duke shkuar mirë.
“Unë sot jam në Mitrovicë dhe po e përcjellim situatën sa i takon çështjeve të sigurisë. Situata është stabile, e qetë. Nuk kemi incidente dhe presim që dita të përfundojë e qetë. Këto zgjedhje janë më ndryshe për shumë arsye, e edhe sa i takon aspektit të sigurisë”, tha ai.
Sipas tij, edhe kushtet e punës janë mëse komode. “Edhe për votuesit vendvotimet janë të identifikuara dhe nuk shoh ndonjë problem të veçantë”, shtoi Sveçla.
Ai bëri me dije se Policia e Kosovës është e përgatitur për të gjitha skenarit dhe në plotëni të përmbushur mandatin e saj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha për RTK se qeveria është e interesuar që veriun ta bëjnë njëjtë sikur pjesët e Kosovës.
“Jemi në rrugë të mbarë, dikujt sikur Listës Serbe dhe Beogradit, nuk i përshtatet, prandaj ata në rrugë të ndryshme mundohen ta pengojnë”, tha ai.
Kurse për numrin e qytetarëve që do të dalin në zgjedhje, Sveçla, vlerësoi se do të rritet gjatë ditës.
“Jemi të vetëdijshëm se për shkak të presioneve të jashtëzakonshme ndikon në numrin e votuesve”, tha ai.
Sveçla tha nuk guxojmë të biem pre nga Beogradi dhe Lista Serbe. “Këto zgjedhje do të neutralizojnë shantazhet e Beogradit”, theksoi ai.