Sveçla: Koncept-dokumenti për vettingun në polici përfundon në fund të vitit
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se deri në fund të këtij viti do të përfundoj koncept-dokumenti për zhvillimin e procesit të vettingut në këtë ministri dhe agjencitë e saj.
Ai ka thënë se MPB-ja tashmë ka themeluar grupin punues për hartimin fillestar të koncept-dokumentit dhe grupi, sipas tij, është duke punuar në këtë drejtim.
“Ky koncept-dokument do ta analizojë gjendjen aktual, do të përcaktojë objektivat që synohen të arrihen përmes vettingut në MPB dhe agjencitë vartëse të saj dhe të ofrojë opsione që mund të ndiqen më pas për të zhvilluar një proces të tillë”, është shprehur Sveçla në Kuvendin e Kosovës.
Më tutje, ai ka thënë se grupi është duke punuar me intensitet të lartë në mënyrë që ky koncept-dokument të përfundojë më herët se fundi i vitit.
“Koncept-dokumenti duhet të përfundoj deri në fund të këtij viti. Grupi është duke punuar me një tempo të lartë dhe shpresoj që koncept-dokumenti të përfundojë më herët se kjo datë”, ka thënë ai.