Policia e Kosovës nuk ka dalë ende me ndonjë raport, por mediat në Kosovë raportojnë se aksioni është kryer në Lipjan dhe se sasia e drogës së konfiskuar është rreth 300-400 kg.
Sveçla: Kosova nuk do të jetë më streha e kriminelëve
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas raportimeve për kapjen e një sasie të madhe të lëndëve narkotike në Lipjan.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Sveçla ka thënë se ky aksion ka qenë në koordinim me institucionet e partnerëve të Kosovës.
“Sot gjatë një aksioni të koordinuar me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë. Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre. Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit. Pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më streha e kriminelëve”, ka shkruar Sveçla.