Sveçla: LDK-ja tregoi se nuk dëshiron koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo lëvizje ka bërë maksimumin për një koalicion parazgjedhor me LDK-në, por sipas tij partia e Isa Mustafës ka vepruar tinëzisht duke dalë me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre.
Sveçla në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se LDK-ja tash e një vit është duke u sjellë me mos-sinqeritet përballë kërkesave publike të Vetëvendosjes.
“Vetëvendosja bëri maksimumin, duke mos paragjykuar as emrin e kandidatit për kryeministër, në mënyrë që gjithçka të vendosej së bashku nga VV e LDK, por me vendimin e pakoordinuar dhe tinzar për të nxjerrë kandidat për kryeministër, LDK tregoi se nuk dëshiron koalicion parazgjedhor. Kjo sjellje e LDK vazhdon qysh prej një viti, me hezitim e mos-sinqeritet përballë kërkesave transparente e publike të VV për bashkëpunim”.
“Dhe është pikërisht kjo tinzari e LDK që e ka zvogëluar këtë subjekt 10% më pak në sondazhe brenda një viti, ndërkohë që ka rritur VV me të njëjtën margjinë. Tash, mbetet të shpresojmë që të paktën e mbajnë fjalën për të shkuar në zgjedhje vetëm. Populli ka marrë vendimin për ndryshim, Vetëvendosje prin, Albini është politikani më i votuar dhe më i mbështetur”, ka shkruar Sveçla.
/Epoka e re/