Sveçla merr mbështetje nga shefi i OSBE-së në Kosovë
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh Koordinator i Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve, Xhelal Sveçla, ka takuar shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.
Në këtë takim është diskutuar për situatën e fundit me të cilin është duke u ballafaquar vendi ynë, me pandeminë Covid 19, sidomos për vendimet që ka marr Qeveria e Kosovës në parandalimin e përhapjes së këtij virusi, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të përgjithshëm publik.
Me këtë rast, Sveçla e ka njoftuar ambasadorin Braathu me të gjitha hapat që ka ndërmarrë MPBAP-ja, duke e aktivizuar edhe Planin e Reagimit Kombëtar, ku të gjitha rastet janë duke i bashkërenduar Grupi Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve.
Ndërsa ambasadori Braathu, ka vlerësuar punën që janë duke bërë institucionet e Kosovës në menaxhimin e kësaj situate dhe ka shprehur përkushtimin se misioni OSBE-së do të vazhdojë të përkrahë institucionet e Kosovës, në veçanti Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.