Sveçla: Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë qeverisë Kurti

07 qershor 2020 | 17:07

Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Hoti për heqjen e kufirit me Shqipërinë.

Sveçla në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë Qeverisë Kurti.

“Në çdo pikë kufitare me të gjitha vendet kanë qenë të njëjtat kufizime në qarkullim, për shkak të pandemisë, por kurrë jo i mbyllur”, ka shkruar Sveçla, raporton “Epoka e re”.

Postimi i plotë i Sveçlës:

Diktatorët, nga Hitleri te Stalini, kanë pasur një parim kryesor në propagandën e tyre: “Akuzoji kundërshtarët e tu për atë çka ti vetë bën”.

Kështu edhe zëdhënësit e qeverisë Koti të subjekteve humbëse, paskan sulmuar qeverinë Kurti, se kinse kufiri me Shqipërinë paska qenë i mbyllur e ai me Serbinë i hapur. Kush e bën këtë akuzë? Qeveria e cila sapo u përshëndet nga Vuçiqi për veprimin e rrallë në botë, ku hoqën dorë vetë nga reciprociteti, dhe lejuan që Serbia të hyjë në Kosovë me dokumentet “Kosovo i Metohija”.

Sado që propaganda synon të luajë me emocionet, ky është sulm “i budallëm”. S’e ha kush.

Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë qeverisë Kurti. Në çdo pikë kufitare me të gjitha vendet kanë qenë të njëjtat kufizime në qarkullim, për shkak të pandemisë, por kurrë jo i mbyllur. Masat janë të publikuara në faqet zyrtare të qeverisë dhe ministrive, e lehtë mund të shohin të gjithë se kurrë kufiri me Serbinë, gjatë qeverisë Kurti nuk ka qenë më i hapur se me atë të Shqipërisë. Përkundrazi.

Pikërisht gjatë qeverisjes sonë u arrit që secili automjet e kamion që vinte nga Serbia të kishte dokumentacionin me emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës”, gjë që e ka mërzitur shumë Vuçiqin prandaj i angazhoi shërbëtorët për ta rikthyer situatën aty ku ishte para qeverisë Kurti.

Unë e kuptoj sikletin e partive humbëse, të cilat duan me çdo kusht ta sulmojnë LV që është Qeveria Alternative e vetme që ka pasur Kosova, mirëpo besoj se një minimum etike duhet të ketë.

Apo po kërkoj shumë?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fshatin Zabel i Ulët të komunës së Drenasit ka…