Sveçla në Brdo të Sllovenisë: Synim ynë, luftimi i krimit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në forumin ministerial në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për drejtësi dhe punë të brendshme, të organizuar nga Presidenca sllovene e Këshillit të BE-së, në Brdo të Sllovenisë.
Në këtë forum është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, migrimit të paligjshëm, si dhe terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Sveçla ka theksuar se fokusi i Ministrisë së Punëve të Brendshme është dhe do të vazhdojë të jetë në luftimin e krimeve të ndryshme si trafikimi i qenieve njerëzore, narkotikëve, kontrabandimi i emigrantëve si dhe trafikimi i armëve të vogla dhe të lehta.
Ai gjithashtu i ka paraqitur rezultatet e arritura deri më tani, si dhe nevojën për mbështetje në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike në luftën kundër krimit të organizuar.
Në margjinat e këtij forumi, ministri Sveçla është takuar edhe me drejtoreshën ekzekutive të Europolit, Catherine De Bolle.
Në takim me De Bolle, ministri Sveçla ka ritheksuar përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës për të luftuar krimin e organizuar transnacional, si dhe është dakorduar me të që të operacionalizohen dy marrëveshjet tashmë të nënshkruara me Europolin dhe të intensifikohen punët për nënshkrimin e marrëveshjes së radhës.