Sveçla: Në veri konfiskohen 6 300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se në veri të Kosovës janë konfiskuar 6 mijë e 300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia.
“Përderisa Vuçiq flet për armatosje të Serbisë, në veri të Kosovës konfiskohen 6.300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia. 6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Sipas tij, kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë.
“Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin tonë në luftimin e çdo lloj kriminaliteti që synon të cënojë sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar ministri Sveçla.