Sveçla: Nuk ka pasur negocim për lirimin e grupit terrorist
Tre terrorist mbetën të vrarë pasi sulmuan Policinë e Kosovës me arsenal armësh dhe vranë rreshterin Afrim Bunjakun.
Por, në këtë sulm pati edhe shumë të tjerë që ikën maleve, fillimisht u tha nga autoritete se ishin 30 kurse tash thuhet se janë 90 persona që morën pjesë në sulmin terrorist të së dielës së kaluar.
Ndërsa u diskutua e u ngritën pikëpyetje për ikjen e terroristëve nëse pati negocim që të largoheshin nga Manastiri i Banjskës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka mohuar se është negociuar që terroristët të largohen.
“Absolutisht nuk ka pas kurrfarë negocimi gjatë këtij aksioni, unë nuk mund të rresht së falënderuari Policinë e Kosovës për profesionalizmin e tyre. Në fillim kemi folur për rreth 30 pjesëtarë të këtij grupi terrorist, lirisht mund të themi se janë mbi 90 terroristë që kanë marrë në këtë sulm që tregon se policët tanë kanë qenë në numër më të vogël se sulmuesit”, u shpreh Sveçla.
Tutje ai ka thënë Policia nuk e ka armatimin të cilin e posedonin terroristët ditën e sulmit dhe ishin në disavantazh, por që pavarësisht kësaj ata kanë treguar profesionalizëm të pashembullt.
“Policia jonë nuk zotëron kësi lloj armatimi. Përkundër gjithë këtyre disavzanteshe dhe të cilën Policia e Kosovës është gjetur dhe ka treguar profesionalizëm të pashembullt dhe sukses të jashtëzakonshëm, Rënia e Afrimit dhe angazhimi pa kurrfarë hezitimi dhe vullnet të madh për sakrificë, ka bërë të mundur që një skenar kaq ogurzi të ndërpritet”, ka thënë Sveçla.