Sveçla pas arrestimit të Fazliut: Ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen
Ish-kryetari i OVLUÇK-së, Faik Fazliu është arrestuar e më pas liruar, pas një konfrontimi që ka pasur mbrëmë me zyrtarët policorë në Prizren.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar në mënyrë indirekte për këto ndodhi.
Ai në një shënim në “Facebook” ka thënë se “sundimi i ligjit në shtetin e së drejtës, nënkupton edhe ushtrimin e detyrës nga zyrtarët policorë pa pengesa”.
“Ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga të ashtuquajturit “të fortët””, ka shkruar Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se askush nuk mund t’i kryej punët privatisht me zyrtarët policorë.
“Përgjigje e shpejtë dhe konform ligjit për të gjithë personat që tentojnë “t’i kryejnë punët privatisht me policët tanë””.
“Stop sjelljeve banditeske. Askush mbi ligjin!”, ka përfunduar Sveçla.