Sveçla për kërkesën e policisë për rritjen pagave: I kuptojmë, por Kosova është vendi më i varfër në Evropë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se të gjitha kërkesat e Policisë së Kosovës nuk mund t’i realizojnë, pasi barra buxhetore nuk ua lejon.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se i kupton këto kërkesa, “Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe Evropë”.
Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Sveçla ka deklaruar se Policia e Kosovës ka qenë përfituese e rritjes së pagave, duke përfshirë edhe të ardhurat shtesë dhe rrezikshmërinë.
“Mos të harrojmë se Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe Evropë dhe kërkesat të cilat mund të duken të drejta duhet të shihen se në çfarë barre buxhetore bien. Por, në asnjë moment nuk ka tendenca që dikush të shfrytëzohet, por realisht që të gjithë ata të paguhen në bazë të punës dhe kontributit që japin, që është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Sveçla.