Sveçla për vrasjen e Balajt dhe Xheladinit: Drejtësia nuk ka ndodhur akoma, krimi nuk vjetërsohet kurrë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me rastin e 16-vjetorit të vrasjes së Mon Balajt e Arben Xheladinit, ka thënë se ata ranë dëshmorë për liri e vetëvendosje.
“Mon Balaj e Arben Xheladini ranë dëshmorë për liri e vetëvendosje. Ata janë udhërrëfyesit e përhershëm në rrugën e përbashkët të idealeve tona. Ata janë udhërrëfyesit e angazhimit tonë të përditshëm e të pandalshëm për vendin tonë”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Më tutje, Sveçla ka kujtuar protestën e së shtunës së 10 shkurtit 2007, ku ka thënë se ishte një tubim “për të shprehur kundërshtimin ndaj padrejtësive që po i vinin Kosovës nga pakoja e Ahtisaarit”.
“Protestës i printe e masës ju drejtua atë ditë edhe veprimtari i pashoq i çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, ndërsa përreth tij ishin mijëra qytetarë e aktivistë, djem e vajza të ndershëm, të guximshëm e me vetëdije të lartë mbi rrezikun që i kanosej vendit tonë nga decentralizimi etnik. 232 plumba gome me afat të skaduar u shkrepën drejt nesh, drejt djemve e vajzave, burrave, grave e të moshuarve. Nga ata plumba u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, mbetën të plagosur rëndë Hysni Hyseni, Zenel Zeneli e Mustafë Nerjova si dhe mbi 80 protestues të tjerë pësuan lëndime. Drejtësia nuk ka ndodhur akoma por krimi nuk vjetërsohet kurrë. Mon Balaj e Arben Xheladini ranë dëshmorë për liri e vetëvendosje. Ata janë udhërrëfyesit e përhershëm në rrugën e përbashkët të idealeve tona. Ata janë udhërrëfyesit e angazhimit tonë të përditshëm e të pandalshëm për vendin tonë. Lavdi Monit e Arbenit! Lavdi dëshmorëve të rënë për liri e vetëvendosje”, ka shkruar Sveçla.