Sveçla për vrasjen në QKUK: Jam tronditur, vrasësi i dyfishtë të sillet para drejtësisë
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka reaguar në lidhje me vrasjen e gruas shtatzënë që ndodhi mbrëmë në Prishtinë.
Ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë, të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë.
“Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj. Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili. Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces. Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër”.
“Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës. Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.