Sveçla përgëzon profesionalizmin e Policisë gjatë ballafaqimit me “grupe kriminale” në veri
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri, ku mbetën të lënduar pesë policë si dhe u dëmtuan katër vetura zyrtare.
Ai ka theksuar se pas ceremonive të djeshme të betimit të kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale.
“Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Ai ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë.
“Institucionet demokratike të Republikës së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë”, ka thënë ministri Sveçla.