Sveçla përkujton Triumf Rizën: Ende nuk është vendosur drejtësia për të
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar policin Triumf Riza, i cili është vrarë para 17 vjet nga grupet kriminale në Prishtinë.
Ai e ka pranuar se për këtë rast ende nuk është vendosur drejtësi e plotë.
Megjithatë, Sveçla nuk e ka përmendur faktin se Enver Sekiraqa, njeri nga të dyshuarit për këtë vrasje është arratisur nga Kosova gjatë këtij viti.
“17 vite më parë, në qendër të Prishtinës, me breshëri plumbash nga dora e grupeve kriminale të asaj kohe u vra zyrtari policor Triumf Riza. Përveç që kam pasur mundësinë ta njoh personalisht Triumfin, të gjithë kolegët që kanë punuar me të e vlerësojnë lartë shërbimin e tij me vullnet e shumë përkushtim për sundim të ligjit e luftim të pakompromis të krimit e bandave kriminale që vendi ynë u përball me vite. Jemi dëshmitarë se ende nuk është vendosur drejtësia e plotë me këtë rast, gjë që na obligon të gjithëve që të punojmë pandalshëm që ajo të ndodhë jo vetëm si shpagim për krimin e bërë por edhe si parandalim që kohërat e situatat e tilla të mos na përsëriten më. Lavdi e përjetshme heroit Triumf Riza!”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.