Sveçla: Po bëjmë përpjekje për heqjen e barrikadave pa eskalim, kriminelët s’lirohen
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka refuzuar çdo propozim të Listës Serbe për lirimin e ish-policit të arrestuar për akte terroriste, e i cili po mbahet ende në pikë kufitare si shkak i vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Sveçla ka thënë se Rakiq bashkë me bandat kriminale po i mbajnë të bllokuar qytetarët dhe policinë që 11 ditë.
“E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, ka shkruar Sveçla.
Postimi i plotë:
Goran Rakiq në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbanë barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë.
E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim.
Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave.
Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena.
Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim.
Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij.