Sveçla: Policët civil do të monitorojnë të infektuarit me Covid
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës do të bëjë monitorim rigoroz të qytetarëve që janë të infektuar me Covid, e që janë të vetizoluar.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se Policia për këtë dhe monitorim të masave të tjera do të kryejë punën edhe me zyrtarë policor në rroba civile.
“Në të njëjtën kohë, Policia do të bëjë kontrollin e personave që tashmë janë në listën e Institutit Kombëtar si të infektuar që të sigurojnë që ata që s’kanë nevojë për trajtim mjekësor të izolohen në shtëpitë e tyre dhe po ashtu ata që kthehen e nënshkruajnë për vetizolim, të sigurohemi që ata i përmbahen këtij obligimi”, ka thënë ai.
Sipas tij, policia ka hartuar edhe planin operacionin për monitorimin e të infektuarve nëse po i përmbahen rregullave të vetizolimit.
“Ne e kemi planin operacional të Policisë që të vizitojnë këta persona dhe në momentin që vërehet se nuk i janë përmbajtur kësaj mase, të shqiptohen masa ndëshkuese. Do të ketë policë civilë, jo në uniformë, që të përkujdesen që jo vetëm kjo masë, por të gjitha masat të zbatohen në përpikëri. Ka vendosmëri të jashtëzakonshme qoftë nga Qeveria, qoftë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, nga të gjitha agjencitë që me rigorozitet të zbatohen të gjitha masat”, ka deklaruar Sveçla.