Sveçla: Prania e policisë në pikat kufitare me Serbinë nuk është provokim
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Policia e Kosovës po qëndron në pikat kufitare me Serbinë për siguri të qytetarëve.
Në një konferencë për media, pas takimit me homologun e tij austriak Karl Nehammer, Sveçla ka deklaruar se qëndrimi i policisë në atë pjesë nuk është provokim për askënd.
“Policia e Kosovës qëndron në pikat kufitare për siguri të qytetarëve dhe respektim të plotë të vendimeve legjitime të qeverisë demokratike të Kosovës. Kjo nuk është as provokim, e as kërcënim për asnjë qytetar të Republikës sonë, përkundrazi ligjshmëria në veri është parakusht për zhvillim, mirëqenie, prosperitet të vendit dhe qytetarëve atje”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka treguar se deri tani janë lëshuar mbi 11 mijë targa të përkohshme nga institucionet e zbatimit të ligjit.