Sveçla: Serbi i arrestuar sot është pjesë e strukturës kriminale ‘Mbrojtja Civile’
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se serbi i arrestuar sot në veri të Kosovës, i cili dyshohet se plagosi dy zyrtarë policor dhe dogji disa vetura me targa RKS, është pjesë e strukturës kriminale të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”.
Sipas Sveçlës, për serbin e arrestuar sot, organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulme ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
“Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”, është shprehur Sveçla.
I arrestuari sot akuzohet për disa vepra penale, “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Kujtojmë se në dy ditët e fundit në veri të vendit janë djegur gjashtë vetura, ku pesë prej tyre ishin me targa RKS dhe një me targa ilegale.
Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë.